Raouna: Zgjerimi i BE-së mbetet proces i bazuar në meritë, idetë për “anëtarësim të asociuar” ende nuk janë diskutuar zyrtarisht
Pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel, u zhvillua një konferencë e përbashkët për mediat me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe zëvendësministres për Çështjet Evropiane të Qipros, Marilena Raouna.
Gjatë konferencës, Raouna u pyet për një letër të kancelarit gjerman Friedrich Merz, e cila sugjeronte mundësinë e një “anëtarësimi të asociuar” për Ukrainën dhe modele të reja për vendet kandidate të BE-së.
Në përgjigje, ajo theksoi se kjo letër reflekton interesin në rritje të shteteve anëtare për procesin e zgjerimit, por nënvizoi se idetë e propozuara ende nuk janë diskutuar zyrtarisht nga vendet anëtare.
“Gjëja e parë për t’u thënë është fakti se kjo letër është dëshmi e interesit në rritje për zgjerimin dhe rezultatet e tij… por këto ide ende nuk janë diskutuar nga shtetet anëtare,” u shpreh Raouna.
Ajo theksoi se prioritet mbetet zbatimi i metodologjisë ekzistuese të zgjerimit, e bazuar në parimin e meritës, si dhe respektimi i kuadrit ligjor të BE-së, përfshirë kërkesën për unanimitet dhe Nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, i cili përcakton anëtarësimin e plotë.
Sipas saj, është thelbësore që të gjitha vendet kandidate të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe procesi të mbetet i besueshëm.
Duke folur për ecurinë e zgjerimit, Raouna tha se vitet e fundit janë shënuar hapa të rëndësishëm përpara, duke përmendur intensifikimin e negociatave dhe progresin me vendet kandidate.
“Zgjerimi mbetet një nga politikat më transformuese të BE-së… dhe ne po arrijmë të gjejmë konsensus dhe zgjidhje mes shteteve anëtare,” deklaroi ajo.







