×
Wednesday, May 27, 2026

Batuta në Bruksel: Kos dhe Rama shkëmbejnë humor gjatë konferencës Shqipëri–BE

May 26, 2026


Gjatë Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, përveç deklaratave serioze mbi progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, nuk munguan as momentet me humor mes komisioneres evropiane Marta Kos dhe kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e saj, Kos vlerësoi mbështetjen e lartë të qytetarëve shqiptarë për integrimin në BE dhe theksoi rëndësinë e momentit aktual për përshpejtimin e procesit.

“Dua të them që ky sukses është i mundur falë mbështetjes së shqiptarëve. Procesi i zgjerimit në të vërtetë, gjithçka çfarë bëjmë e bëjmë për njerëzit, kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Nëse dikush e kupton që kjo derë mundësie nuk mund të jetë e hapur gjithmonë ky është vendi juaj.

Duke kuptuar këtë ju mund të jeni të suksesshëm. Kur flasim për datën ju thamë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për të përmbushur negociatat deri në 2027, pastaj do t’i ngjitem Korabit së bashku me kryeministrin”, u shpreh Kos.

Ndërkohë, Rama iu përgjigj me humor, duke e lidhur këtë sfidë me një simbol të njohur evropian.

“Mund t’i ngjitemi Kullës Eiffel kur Franca të thotë ‘po mirë se erdhët në klub’, do të jetë më e vështirë se Korabi”, tha ai.

Ky moment solli një atmosferë më të lehtë në konferencë, duke reflektuar edhe raportin pozitiv mes palëve në një moment të rëndësishëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë.




Comments are closed.