Rama: BE i jep Shqipërisë 49 milionë euro, mbështetja totale arrin në 212 milionë
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur në “shënimet e javës” se Bashkimi Europian ka akorduar një fond të ri prej 49 milionë eurosh për Shqipërinë, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Ramës, kjo shumë e çon mbështetjen totale të përfituar nga Shqipëria deri më tani në 212 milionë euro, duke e renditur vendin si përfituesin më të madh në rajon nga ky program financiar.
Ai theksoi se ky zhvillim vjen paralelisht me avancimin e procesit të integrimit europian, duke përfshirë edhe çeljen e fazës përmbyllëse të negociatave me Bashkimin Europian.
“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave. Njëkohësisht është vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes,” u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se Plani i Rritjes është një mekanizëm financimi i bazuar në rezultate konkrete, të cilat certifikohen nga Komisioni Europian dhe konsiderohen të padiskutueshme për objektivitetin e tyre.
Ai shtoi se këto arritje janë rezultat i reformave të vazhdueshme dhe përkushtimit institucional, duke e cilësuar rrugën drejt integrimit europian si një proces që kërkon vizion, punë dhe durim.
“Shqipëria europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma apo shpifje, por me punë dhe reforma hap pas hapi,” deklaroi Rama.
Në përfundim, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe besimin, duke e cilësuar këtë proces si një mision historik për të ardhmen e vendit.







