×
Sunday, May 24, 2026

Hoxha dënon sulmet ruse: Goditet zona ku banon ambasadori shqiptar në Kiev

May 24, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër pas sulmeve të fundit me raketa balistike dhe dronë nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, duke bërë të ditur se gjatë bombardimeve është goditur edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev.

Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi sulmin si një përshkallëzim të rëndë dhe të papranueshëm, duke theksuar se është vënë në rrezik serioz jeta e personelit diplomatik shqiptar.

“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor,” u shpreh ai.

Ministri nënvizoi se goditja e zonave civile dhe rrezikimi i diplomatëve përbën një shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare dhe një tjetër dëshmi të kostos së lartë njerëzore të konfliktit.

Ai rikujtoi se lufta në Ukrainë ka vazhduar për më shumë se katër vite, gjatë të cilave Rusia ka sulmuar vazhdimisht infrastrukturën kritike, përfshirë shkolla, spitale dhe zona banimi, pa arritur të thyejë rezistencën e popullit ukrainas.

“Rusia nuk po fiton – ajo vetëm po shkakton vuajtje dhe shkatërrim,” theksoi Hoxha, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve dhe rikthimin në tryezën e negociatave.

Ai rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah Ukrainës, duke mbështetur sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj.

Në përfundim, ministri bëri të ditur se Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me këtë ngjarje.




Comments are closed.