Begaj: Rezoluta për BE dëshmi e bashkëpunimit dhe konsensusit politik
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti miratimin e rezolutës së Kuvendit për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një përgjigje të duhur ndaj raportit të progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, si dhe ndaj raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj u shpreh se kjo rezolutë përfaqëson qasjen e vetme të drejtë për arritjen e një objektivi strategjik kombëtar, atë të integrimit europian.
“Kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: qasjen e bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar”, theksoi Presidenti.
Sipas tij, dokumenti i miratuar nga Kuvendi është dëshmi e një politike serioze dhe të përgjegjshme, e fokusuar në agjendën reformuese të vendit dhe në transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social të Shqipërisë.
Begaj vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin parlamentar, duke e cilësuar atë një element kyç për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Rezoluta e miratuar nga Kuvendi parashikon një angazhim të përbashkët dhe gjithëpërfshirës për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke theksuar nevojën për dialog politik dhe shoqëror, si dhe për ndërtimin e një konsensusi të gjerë kombëtar mbi prioritetet europiane të vendit.







