Shqipëria drejt BE-së, Hoxha: objektivi 2030 është i arritshëm nëse ruhet ritmi i reformave
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot, në seancën plenare në Kuvend, se qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit mbetet i pandryshuar dhe se procesi vijon të konsiderohet një nga prioritetet strategjike të BE-së, në funksion të stabilitetit dhe sigurisë më të madhe në rajon.
Në fjalën e tij, gjatë debatit për projektrezolutën mbi procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Hoxha u shpreh se, mbështetja për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor mbetet e gjerë dhe e konsoliduar.
“Marrëdhëniet tona me BE-në dhe vendet anëtare nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta, më konkrete, më përmbajtësore dhe më premtuese sesa sot”, tha ai.
Hoxha theksoi se, në themel të kësaj marrëdhënieje qëndron procesi i negociatave për anëtarësim, një proces i bazuar në meritë, ku rezultatet konkrete dhe reformat reale mbeten kriteri i vetëm i vlerësimit nga Bashkimi Evropian.
Hoxha theksoi se, Shqipëria ka bërë progres domethënës.
“Falë punës së administratës publike, angazhimit të ekipit negociator, vullnetit politik të përgjithshëm në vend dhe mbështetjes së partnerëve tanë evropianë, Shqipëria ka avancuar me një ritëm të përshpejtuar, të pazakontë dhe absolutisht të vlerësuar”, deklaroi ministri.
Ai nënvizoi se, Shqipëria ka konsoliduar pozicionin e saj si një nga dy vendet pararojë të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, së bashku me Mali i Zi.
“Sa herë flitet për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, përmendet detyrimisht edhe Shqipëria dhe objektivi ynë për të mbyllur negociatat teknike brenda vitit 2027 dhe për t’u anëtarësuar në BE në horizontin 2030”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, zyrtarët më të lartë të BE-së dhe shtetet anëtare kanë theksuar vazhdimisht se, nëse ruhet ritmi aktual i reformave dhe përmbushjes së standardeve, objektivi i anëtarësimit të Shqipërisë brenda periudhës 2030 është plotësisht i arritshëm.
Hoxha bëri të ditur se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka intensifikuar dialogun politik me institucionet evropiane dhe shtetet anëtare në funksion të këtij procesi.
Ai u ndal edhe te procesi aktual i shqyrtimit të raportit të Komisionit Evropian për pikat e ndërmjetme, duke sqaruar se procesi nuk është bllokuar apo ndaluar nga asnjë shtet anëtar.
“Ndryshe nga sa dëgjohet apo shkruhet në arenën publike, ky proces as nuk është bllokuar, as nuk është ndaluar dhe as nuk është vetuar nga ndonjë shtet anëtar. Përkundrazi, ai ka vëmendjen dhe angazhimin maksimal të të gjitha vendeve anëtare”, tha Hoxha.
Ministri sqaroi se, si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë e diskutimeve të brendshme ndërmjet Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare në grupet e punës për zgjerimin.
“Shqipëria, si çdo vend tjetër kandidat, do të jetë në atë tryezë vetëm kur të bëhet vend anëtar”, u shpreh ministri.
Hoxha theksoi se aktualisht po zhvillohet një aktivitet intensiv politik dhe diplomatik në Tiranë, Bruksel, kryeqytetet evropiane dhe forumet ndërkombëtare, me synim forcimin e mbështetjes për vendin dhe procesin e integrimit.
Duke iu drejtuar deputetëve, ai nënvizoi se sa më shumë avancon procesi i integrimit, aq më të mëdha bëhen përgjegjësitë dhe pritshmëritë ndaj Shqipërisë.
Për këtë arsye, sipas tij, procesi i integrimit duhet të mbështetet në një klimë më konstruktive të dialogut politik dhe në një gjithëpërfshirje më të gjerë shoqërore.
“Partnerët tanë evropianë e konsiderojnë shumë të rëndësishëm përmirësimin dhe forcimin e dialogut politik, përfshirjen e të rinjve dhe grupeve të tjera të interesit, si dhe rritjen e komunikimit publik mbi procesin e anëtarësimit dhe domethënien e tij për qytetarët”, përfundoi Hoxha.






