×
Friday, April 24, 2026

Balla – opozitës: Sulmet ndaj partnerëve ndërkombëtarë, të papranueshme

April 23, 2026


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bëri thirrje opozitës në Kuvend të mbështesë projektligjet për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, duke kritikuar atë që e cilësoi si qëndrim me “dy standarde” mes deklarimeve në Bruksel dhe votimeve në Tiranë.

Gjatë replikës me deputetin e Partisë Demokratike, Tritan Shehu, Balla ngriti pyetjen nëse opozita do të votojë aktet që lidhen me procesin e integrimit, duke theksuar se projektligjet janë në përputhje të plotë me acquis communautaire.

Ai theksoi se këto ligje përmbushin detyrimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian dhe se refuzimi i tyre përbën, sipas tij, një kundërshti të pajustifikuar.

“Kur bëhet fjalë për ligjet e integrimit, duhet të ketë koherencë mes asaj që thuhet në Bruksel dhe asaj që bëhet në Kuvend”, u shpreh Balla.

Në fjalën e tij, ai kritikoi gjithashtu retorikën e disa përfaqësuesve të opozitës ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke e cilësuar të papranueshme sulmin ndaj zyrtarëve europianë dhe drejtuesve të vendeve aleate.

Balla vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe nënvizoi se vendi gëzon aktualisht një nivel të lartë respekti në arenën ndërkombëtare, si dhe një përputhje të plotë të politikës së jashtme me atë të Bashkimi Europian.

Ai shtoi se momentet kyçe për vendin kërkojnë përgjegjësi dhe bashkëpunim politik, duke theksuar rëndësinë e miratimit të ligjeve që lidhen me procesin e integrimit dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.

Balla gjithashtu theksoi se, “vitin e ardhshëm ne mirëpresim samitin më të madh të sigurisë në botë, samitin e NATO-s”.




Comments are closed.