×
Sunday, October 19, 2025

Gjykata e Tiranës bllokon Behgjet Pacollin – S’kryen dot veprime te koncensionari i aeroportit

October 17, 2025


Ky lis ka rrënjë të shëndosha e të forta.” – do deklaronte biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli për veten e tij, fill pas një shkrimi të publikuar nga Hashtag.al, i cili ngriti pikëpyetje dhe hodhi dritë mbi mënyrën si ka vepruar ai me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi ka ngritur shqetësime se mund të jetë duke krijuar korridor për interesa strategjike ruse në Shqipëri.

Pacolli nxitoi të hidhte poshtë dhe ironizoi shkrimin e Hashtag.al, por jo më vonë se sot, (më 17.10.2025), duket se“lisit” të tij, Gjykata e Tiranës i ka çuar një valë stuhie, pasi ky institucion ka vendosur që të bllokojë çdo veprim të mundshëm të tij ndaj koncensionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Sipas një vendimi, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Gjithashtu në bazë të vendimit pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.

Në shkrimin që Hashtag.al publikoi, bëri me dije se Prokuroria e Tiranës ka strukturuar një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.

Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A.

Shtetasi Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës, i cili dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit.

Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

Procedimi penal kundër zotit Pacolli dhe dy të tjerëve mban nr. 64/06 dhe ka nisur në shtator, pasi një kallëzues me vlerë u vu në lëvizje nga shërbimet inteligjente partnere; një anëtar i strukturës hetimore besohet se ka marrë “clearance” nga FBI.

Por kjo histori, në dukje si përplasje korruptive (Balluku–Pacolli), mbart një shqetësim edhe më të fortë se korrupsioni, pasi ka indicie se Pacolli është duke lidhur ujdi shumë larg për të vënë kolateral aeroportin e Vlorës. Veprimet e tij kanë lënë gjurmë pranë Astanas, Kazakistan.

Shqetësimi është se akrobacitë korruptive të zyrtarëve të Tiranës e kanë çuar lojën shumë më larg se korrupsioni, pasi Aeroporti i Vlorës është kapacitet strategjik logjistik në Mesdhe.

*Vendimi i Gjykatës së Tiranës




Comments are closed.