Salla: 218 milionë lekë investime për mbrojtjen nga përmbytjet në Berat, rreth 32 milionë euro në basenin e Semanit
Në interpelancën e kërkuar nga deputeti opozitës Zija Ismaili, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, sqaroi se MBZHR ndjek në vijimësi situatat e krijuara nga fenomenet natyrore dhe pasojat e tyre në sektorin bujqësor dhe blegtoral në të gjithë vendin, me vëmendje të shtuar në zonat me potencial të lartë prodhues, përfshirë qarkun e Beratit.
Salla bëri të ditur se reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore, kryesisht si pasojë e prurjeve të lumenjve Osum, Devoll dhe Seman, të cilët në disa segmente kanë dalë nga shtrati.
“Rreshjet intensive kanë krijuar përmbytje në tokat bujqësore”, deklaroi ai, duke shtuar se janë dëmtuar edhe argjinatura mbrojtëse në disa zona të Beratit.
Ministri theksoi se strukturat e ministrisë, bashkitë dhe emergjencat civile kanë ndërhyrë menjëherë për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve.
Ai njoftoi se për periudhën 2024–2026 investimet në mbrojtjen nga përmbytjet në qarkun e Beratit arrijnë në 218 milionë lekë, ndërsa në buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar ndërhyrje të reja rehabilituese.
“Investimet në mbrojtjen nga përmbytja në qarkun e Beratit zënë një vlerë prej 218 milionë lekë”, tha Salla.
Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria është e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe se po përgatitet një program afatmesëm investimesh për mbrojtjen nga përmbytjet në nivel baseni lumor.
Për basenin e lumit Seman, ndërhyrjet vlerësohen në rreth 32 milionë euro.
Sa i përket dëmeve, ai sqaroi se janë kryer vlerësime në terren në bashkëpunim me bashkitë, ndërsa kompensimi bëhet nga organet e qeverisjes vendore sipas ligjit.
Ministri njoftoi gjithashtu përgatitjen e projektligjit “Për sigurimet në bujqësi”, që synon mbrojtjen afatgjatë të fermerëve nga risqet klimatike.
“Qeveria shqiptare ka shprehur angazhimin për kompensimin e dëmeve”, u shpreh ai.
Salla bëri të ditur se 7,417 fermerë në Berat kanë përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2025, me rreth 440 milionë lekë, ndërsa për vitin 2026 skema e re parashikon 5,2 miliardë lekë për investime në bujqësi dhe agrobiznes.







