Ish-kryeministri hungarez Viktor Orban ka përshëndetur fitoren e Alternativës për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet në landin e Saksonisë-Anhalt, duke e cilësuar rezultatin si një “natë të madhe” për Gjermaninë dhe Europën.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Orban uroi drejtuesit e AfD-së pas rezultatit të arritur në zgjedhje, ndërsa paralajmëroi se ky zhvillim, sipas tij, është vetëm fillimi i ndryshimeve politike që priten në Europë.
“Një natë e madhe për Gjermaninë dhe Europën! Urime Alice Weidel, Ulrich Siegmund dhe të gjithë AfD-së për fitoren e tyre dërrmuese në Saksoni-Anhalt! Mbani rripat. Ky është vetëm fillimi!”, shkroi Orban.
Rezultati në Saksoni-Anhalt ka forcuar më tej pozitat e AfD-së në skenën politike gjermane, ndërsa shihet edhe si një tjetër tregues i rritjes së mbështetjes për partitë e së djathtës radikale dhe populiste në Gjermani.
Orban ka kultivuar prej vitesh marrëdhënie të afërta me figura dhe parti konservatore dhe populiste të krahut të djathtë në Europë dhe më gjerë. Në këtë kuadër përfshihet edhe AfD-ja dhe bashkëdrejtuesja e saj, Alice Weidel, e cila ka zhvilluar disa takime me Orbanin në Budapest.
Reagimi i Orbanit vjen disa muaj pasi ai humbi pushtetin në Hungari. Pas 16 vitesh në drejtimin e vendit, Orban u mund në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit nga Péter Magyar, duke i dhënë fund një prej periudhave më të gjata të qeverisjes në politikën europiane.


