Kushner kritikon qeverinë Netanyahu për Gazën: Zgjedhjet po i bëjnë pak joracionalë

07 Sep 2026 10:11
Shpërndaje:

I dërguari i posaçëm amerikan Jared Kushner ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Izrael po ndikojnë në qëndrimin e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu ndaj Gazës, duke e bërë atë të veprojë “pak në mënyrë joracionale” në disa çështje.

Kushner i bëri komentet gjatë një daljeje për mediat në Kiev, ku ndodhej së bashku me të dërguarin amerikan Steve Witkoff për negociatat që synojnë avancimin e procesit të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Mendoj se jemi dakord me izraelitët për gjendjen përfundimtare të Gazës. Ata thjesht kanë zgjedhje dhe kjo i bën pak joracionalë në disa aspekte”, deklaroi Kushner.

Reklamë Ola

Komentet vijnë ndërsa Izraeli përgatitet për zgjedhjet e Knesetit më 27 tetor, me kryeministrin Netanyahu që kërkon një mandat të ri dhe përballet me një garë të ndërlikuar për sigurimin e shumicës parlamentare.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen ndërkohë të avancojnë planin e Bordit të Paqes për Gazën. Një prej pikave kryesore të tij parashikon çarmatimin e Hamasit dhe të grupeve të tjera të armatosura në territor, proces që do të shoqërohej me tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, kundërshtimet e Izraelit ndaj propozimit kanë penguar deri tani avancimin e planit. Kushner theksoi se Uashingtoni dhe Izraeli ndajnë në përgjithësi të njëjtin vizion për gjendjen përfundimtare të Gazës, por la të kuptohet se dinamika e brendshme elektorale në Izrael po vështirëson arritjen e një marrëveshjeje.

Deklarata e tij përbën një kritikë të pazakontë publike ndaj qeverisë Netanyahu nga një përfaqësues i administratës amerikane, në një moment kur Uashingtoni po kërkon të çojë përpara planin e tij për të ardhmen e Gazës.