Hita mbledh drejtuesit e Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës: Shkollat prioritet, goditje drogës dhe armëve

06 Sep 2026 13:36
Shpërndaje:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime me drejtuesit e strukturave vendore të Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës, ku ka përcaktuar prioritetet dhe objektivat për periudhën në vijim.

Në fokus të takimeve ishte rritja e sigurisë publike, me vëmendje të veçantë te shkollat, lufta kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe goditja e armëmbajtjes pa leje.

Hita kërkoi nga strukturat vendore angazhim maksimal dhe rritje të kontrollit në territor, duke theksuar se puna parandaluese duhet të jetë një nga elementët kryesorë të veprimtarisë së Policisë.

Reklamë Ola

Një nga prioritetet e vendosura është garantimi i sigurisë në institucionet arsimore dhe në zonat përreth tyre. Drejtuesve të Policisë iu kërkua bashkëpunim i vazhdueshëm me drejtuesit e shkollave, mësuesit, prindërit dhe komunitetin, me qëllim parandalimin e ngjarjeve që mund të cenojnë sigurinë e nxënësve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe luftës kundër narkotikëve. Hita kërkoi intensifikimin e kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe identifikimin e personave të përfshirë në shpërndarjen e drogës.

Reklamë InterMedika

Në të njëjtën kohë, strukturave vendore iu kërkua të vijojnë operacionet për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, duke rritur kontrollet ndaj personave me precedentë dhe atyre që konsiderohen me risk për rendin dhe sigurinë publike.

Gjatë takimeve në Elbasan, Berat dhe Kukës, kreu i Policisë së Shtetit kërkoi gjithashtu përgjegjshmëri më të madhe nga drejtuesit dhe efektivët në terren, reagim të shpejtë ndaj shqetësimeve të qytetarëve dhe forcim të bashkëpunimit me komunitetin.

Takimet janë pjesë e turit të drejtuesit të Policisë së Shtetit në strukturat vendore, me synim përcaktimin e prioriteteve dhe rritjen e efektivitetit të punës në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.