Islanda i thotë “Jo” BE-së, 52.5% votojnë kundër rikthimit të negociatave për anëtarësim

30 Aug 2026 12:12
Shpërndaje:

Islanda ka votuar kundër rifillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pas një referendumi që tregoi një ndarje të fortë të shoqërisë islandeze për të ardhmen e marrëdhënieve me Brukselin.

Sipas rezultateve të raportuara të dielën në mëngjes nga transmetuesi kombëtar RÚV, 52.5% e votuesve kundërshtuan propozimin e qeverisë për rikthimin në tryezën e negociatave me BE-në, ndërsa 47.5% votuan në favor. Në momentin e raportimit vazhdonte numërimi i votave në një zonë të fundit zgjedhore.

Pjesëmarrja ishte e lartë në vendin me rreth 400 mijë banorë. Në Reykjavík ajo kaloi 60%, ndërsa në disa zona rurale ishte mbi 80%. Kryeqyteti regjistroi mbështetje më të fortë për kampin pro negociatave, ndërsa në zonat rurale vota kundër kaloi në disa raste 60%.

Reklamë Ola

“Është e jashtëzakonshme të shohësh fuqinë e njerëzve në të gjithë vendin”, deklaroi Guðlaugur Þór Þórðarson, deputet i Partisë së Pavarësisë, e cila kishte mbështetur votën kundër.

“Rezultatet janë shumë të qarta. Islandezët nuk duan që Islanda të anëtarësohet në BE”, shtoi Þórðarson, i cili ka shërbyer më parë edhe si ministër i Jashtëm.

Reklamë InterMedika

Rezultati u përshëndet edhe nga drejtuesi i Reform UK në Britani, Nigel Farage, një kundërshtar i fortë i Bashkimit Europian. “Urime Islandës që votoi për të ruajtur pavarësinë e saj”, shkroi ai në platformën X.

Islanda i nisi për herë të parë negociatat për anëtarësimin në BE në vitin 2009, pas krizës financiare që goditi rëndë sektorin financiar të vendit. Procesi nuk arriti të përfundonte dhe negociatat u ndërprenë përfundimisht në vitin 2015. Një ndër çështjet më problematike ishte kontrolli mbi kuotat e peshkimit, një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë islandeze.

Qeveria e drejtuar nga kryeministrja socialdemokrate Kristrún Frostadóttir kishte premtuar zhvillimin e një referendumi pasi erdhi në pushtet në fund të vitit 2024. Frostadóttir kishte argumentuar se afrimi me Bashkimin Europian mund ta mbronte më mirë ekonominë e vogël islandeze nga tarifat dhe presionet tregtare ndërkombëtare.

Debati për referendumin kishte dominuar prej muajsh politikën e vendit, me sondazhet që tregonin një ndarje pothuajse të barabartë mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të rifillimit të negociatave.

Një nga shqetësimet kryesore të kampit kundër lidhej me ruajtjen e kontrollit kombëtar mbi zonat e pasura të peshkimit përreth Islandës. Mbështetësit e afrimit me BE-në, nga ana tjetër, argumentonin se anëtarësimi dhe mundësia e adoptimit të euros mund të sillnin më shumë stabilitet monetar dhe një lidhje më të fortë me Europën kontinentale.

Argumentet në favor të BE-së ishin forcuar edhe nga zhvillimet e fundit në marrëdhëniet transatlantike, përfshirë politikat tarifore të presidentit amerikan Donald Trump dhe kërcënimet e tij lidhur me Groenlandën.

“Situata ka ndryshuar shumë gjatë një viti e gjysmë të fundit. Po shohim Shtetet e Bashkuara të përdorin tarifat si instrument presioni tregtar dhe si armë”, deklaroi Frostadóttir gjatë një debati televiziv vetëm 48 orë përpara votimit.

Kundërshtarët e rifillimit të negociatave, mes tyre drejtuesja e Partisë së Pavarësisë, Guðrún Hafsteinsdóttir, argumentojnë se Islanda është në një pozicion më të favorshëm duke ruajtur pavarësinë e saj politike dhe duke vazhduar të jetë pjesë e Zonës Ekonomike Europiane, pa u bërë anëtare e plotë e BE-së.

Rezultati i referendumit i mbyll, të paktën për momentin, përpjekjet e qeverisë për të rikthyer Islandën në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.