Trump: Negociatat me Iranin rifillojnë sot

03 Aug 2026 09:34
Shpërndaje:

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se negociatat me Iranin do të rifillojnë sot, pasi vendosi të pezullojë sulmet e planifikuara amerikane ndaj Republikës Islamike, duke përmendur zhvillime pozitive në planin diplomatik.

Sipas Trump, bisedimet synojnë të çojnë përpara një marrëveshje që do të kontribuonte edhe në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Megjithëse në mesin e muajit qershor u nënshkrua një marrëveshje kornizë, deri tani nuk është shënuar përparim i rëndësishëm drejt përfundimit të konfliktit që prej më shumë se pesë muajsh ka përfshirë Lindjen e Mesme dhe ka ndikuar në ekonominë globale.

Reklamë Ola

Pasi kishte paralajmëruar një valë të re sulmesh ndaj Iranit, Trump tha se kishte hequr dorë nga ky plan për shkak të zhvillimeve diplomatike.

“Sigurisht që ata nuk duan të sulmohen. Ata e dinin përmasën e këtij sulmi, sepse e shihnin se po përgatitej”, deklaroi Trump gjatë një bisede me gazetarët në bordin e avionit presidencial.

Reklamë InterMedika

“Ajo që po bëjmë tani është të bisedojmë me ta në kuadër të negociatave”, shtoi ai, duke bërë të ditur se diskutimet do të nisin pasditen e së hënës, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Deri tani, as Irani dhe as vendet ndërmjetësuese nuk kanë konfirmuar zhvillimin e këtyre bisedimeve. Megjithatë, Teherani deklaroi të dielën se është pranë arritjes së një marrëveshjeje me Omanin për çështjet që lidhen me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.