×
Saturday, January 17, 2026

Zjarri shpërthen në sistemin e ftohjes së centralit bërthamor në Zaporizhia

August 12, 2024


Një zjarr ka shpërthyer në sistemin e ftohjes së centralit bërthamor në Zaporizhia në qytetin jugor të Ukrainës, Enerhodar, sipas burimeve ruse.

“Guvernatori i rajonit i vendosur nga Rusia, Yevgeny Balitsky, deklaroi se paraprakisht kishte pasur një sulm ukrainas në afërsi të centralit”, njoftoi dje në mbrëmje agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Megjithatë, ai pohoi se nuk kishte asnjë rrezik – pasi të gjitha blloqet e centralit bërthamor ishin mbyllur.

Ai shtoi se nivelet e rrezatimit ishin brenda intervalit normal.

Autoritetet ruse raportuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Sipas burimeve ruse, zjarri u shkaktua nga një dron luftarak.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se i kishte vënë zjarrin centralit bërthamor.

Megjithëse nivelet e rrezatimit ishin normale – për sa kohë që terroristët rusë kontrollojnë centralin bërthamor, situata  nuk mund të jetë normale”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në platformën X.

Zelensky bëri thirrje për një përgjigje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Rusia pushtoi centralin më të madh bërthamor në Evropë menjëherë pas fillimit të pushtimit të saj në shkallë të plotë.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për sulme ose sabotim të centralit. Rusia kohët e fundit është ankuar vazhdimisht për sulmet me dronë ukrainas.

Për shkak të shqetësimeve të sigurisë, reaktorët u mbyllën në vitin 2022, por ende duhet të ftohen. Vëzhguesit e IAEA-s janë angazhuar në terren.

Vëzhguesit raportuan dje në mbrëmje se kishin parë tym të madh në pjesën veriore të centralit – pas disa shpërthimeve.

Ata u informuan për një sulm të supozuar me dron. “Asnjë ndikim nuk është raportuar për sigurinë bërthamore”, postoi IAEA në X. 




Comments are closed.