×
Sunday, October 24, 2021

Zjarret në Karaburun nën kontroll

August 7, 2021

Pas 12 ditësh nën pushtetin e flakëve, situata në Karaburun duket se është vënë të paktën për momentin nën kontroll, duke eliminuar pjesën dërrmuese të vatrave të zjarrit.

Shqetësuese duket gjendja në malin e Dukatit, ku është aktivizuar nga zjarrvënia e qëllimshme një vatër e re. Falë mbërritjes së stafeve dhe helikopterëve holandezë e çek, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi garantoi se edhe kjo vatër së shpejti do vihet nën kontroll.

“Zjarri ka qenë shumë i egër deri para një ore dhe tani jemi optimist. Kemi bërë hedhje uji nga helikopterët holandezë.”

Problematike është edhe vatra e zjarrit në Gjirin e Gramës, ku siç deklaroi ministri Peleshi është dashur evakuimi i turistëve për të mos u rrezikuar jetën.

“Janë larguar turistët, ngelet për tu menaxhuar Nga ajri se nga toka aty është e pamundur.”

Pavarësisht aktivizimit të këtyre vatrave të reja, autoritet garantojnë se tashmë është jashtë rrezikut Parku Kombëtar i Llogarasë.

Sakaq, ekipet e zjarrfikëseve vendas e të huaj, si dhe efektivët e ushtrisë po vazhdojnë punën nga ajri e toka për të bërë të mundur izolimin e plotë edhe të një tjetër vatre në Cakran të Fierit, fare pranë banesave.

“Kemi çuar helikopterët çek dhe po e mbajmë jashtë rrezikut.”

Jashtë rrezikut është situata edhe në Kukës, ku prej disa ditësh po punohet nga ajri e toka për të shuar vatrën e zjarrit.

Nën kontroll po mbahet edhe zjarri në pikën kufitare Rips në fshatin Livadhja, duke shmangur në këtë mënyrë rrezikun e banesave.

Në luginën e Valbonës, në fshatin Vermosh, në Thirrë dhe në Minellë,  emergjencat civile po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët në vatrat e hapura.

Eunews.al

Comments are closed.