×
Sunday, September 26, 2021

Zjarret/ Ekspertët amerikanë mbërrijnë në Bazën e Pashalimanit

August 9, 2021

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka pritur dy përfaqësues të tjerë nga ekipi i USAID-it të cilët kanë mbërritur sot dhe që do të ndajnë eksperiencën e tyre me ekspertët shqiptarë në lidhje me fikjen e vatrave të zjarreve në territorin shqiptar.

Në njoftimin për mediet, AKMC bën të ditur se “me ekipin amerikan janë gjithashtu Mischere Kawas, Këshilltare për Zhvillimin në Shqipëri, John H. Patterson, Këshilltar  Rajonal në Fushën Humanitare dhe Alma Kospiri, Specialiste Programesh në USAID”.

Ekspertët amerikanë kanë eksperiencë të gjatë në fushën e përgjigjes ndaj fatkeqësive natyrore si zjarret masive në zonat pyjore.

Pas takimit me përfaqësues të AKMC, ekspertët amerikanë vazhduan takimet intensive në Bazën e Pashalimanit.

Kjo asistencë teknike është në kuadër të “Programit të Mbështetjes për Ndihmën ndaj Fatkeqësive”, i cili është një program bashkëpunues ndërmjet Byrosë së USAID për ndihmën humanitare dhe Shërbimit Pyjor të SHBA.

Tre ekspertët teknikë nga SHBA do të bashkëpunojnë me ekspertët shqiptarë për dhënien e ekspertizës dhe eksperiencës në operacionin kundër shuarjes së zjarreve në territorin e Shqipërisë.

Eunews.al

Comments are closed.