Zgjedhjet në Malin e Zi, pjesëmarrje rekord në Komunën e Tuzit
Pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme parlamentare në Malin e Zi duket se do të arrijë nivel rekord. Kjo pasi deri në orën 13:00 të paktën në Komunën e Tuzit, pjesëmarrja në votim ka arritur në 54.1%.
Komuna e Tuzit ndodhet mes Podgoricës dhe kufirit me Shqipërinë dhe drejtohet nga Nik Gjeloshaj, një prej drejtuesve të koalicionit “Lista Shqiptare”.
Ky proces zgjedhor është shoqëruar me debate të forta mbi identitetin kombëtar dhe vlerat e besimit, duke bërë që shumë qytetarë të nxiten të votojnë.
Në të gjithë vendin janë 1 217 qendra votimi dhe këto votime pritet të përcaktojnë nëse partia e Milo Gjukanoviç, që është në pushtet prej 30 vitesh, do të duhet të dalë në opozitë apo të vazhdojë të jetë në drejtimin e vendit.
Mbi 540 mijë persona kanë të drejtë për të votuar dhe prej tyre do të zgjidhen 81 përfaqësuesit e Parlamentit. Këto janë zgjedhjet e shtata pas pavarësisë në vitin 2006.
Politika në Malin e Zi është e polarizuar në parti që e pozicionojnë veten në pro perëndimore dhe pro serbe dhe ruse. Ndikim pritet të ketë mbështetja që kisha ortodokse serbe u ka dhënë forcave opozitare pro-serbe.
Kandidatët shqiptarë hedhin votën dhe bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive
Që nga ora 7:00 ka startuar procesi i votimit për të zgjedhur qeverinë e re në Mal të Zi.
Në këtë proces kandidojnë edhe 2 koalicionet shqiptare të cilat shpresojnë të paktën 2 mandate deputetësh në parlamentin e Malit të Zi.
Deri në këto momente pjesëmarrja duket më e lartë se 4 vite më parë, kur rezulton që vetëm në 3 orët e para kanë votuar më shumë se 70 mijë shtetas.
Edhe në komunat shqiptare në Mal të Zi, Tuz dhe Ulqin duket një pjesëmarrje e lartë në votime.
Në komunën e Tuzit ndodhen 7 qendra votimi, nga 30 që numëron e gjithë Malësia.
E rëndësishme për t’u përmendur është dhe zona e Gucisë, në të cilën do të ketë dhe zgjedhje për pushtetin lokal.
Ndryshe nga zonat e tjera në Mal të Zi, partitë shqiptare janë të mbledhura në një koalicion të vetëm” Shqiptarët për Gucinë” dhe në rast se arrijnë të marrin 10 vende në këshillin lokal, u lind e drejta për të propozuar kryetarin, një gjë kjo historike për shqiptarët.
Nikollë Camaj, kryetari i Partisë Lidhja Demokratike Shqiptare, koalicion në Lista Shqiptare, votoi në Tuz, rreth orës 10.00 dhe u kërkoi qytetarëve të dalin të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Edhe Nik Gjeloshaj, kreu i “Koalicioni Shqiptar”, e hodhi votën e tij rreth orës 10.30 dhe u bëri thirrje bashkëkombësve për pjesëmarrje masive në votime.
Ndërkohë, përfaqësues politik në Kosovë e Shqipëri, u kanë bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi, që të votojnë dy listat shqiptare.
Zgjedhjet zhvillohen në një kohë tensionesh mbi ligjin e fesë, i miratuar vitin e kaluar, që i lejon shtetit të konfiskojë asetet fetare në rast se pronësia historike nuk vërtetohet.
Ligji nuk ka hyrë në fuqi prej muajsh për shkak të protestave të udhëhequra nga Kisha Ortodokse, e mbështetur nga grupi i partive pro-serbe. Më shume se 540.000 votues do të zgjedhin nëse do të vijojnë të mbajnë në fuqi Partinë demokratike të Socialistëve, të cilët kanë qeverisur Malin e Zi për më shumë se 30 vite. Kjo parti ka drejtuar vendin drejt pavarësisë nga Serbia, dhe pavarësisht kundërshtisë nga Rusia, ka arritur të bëhet pjesë e NATO-s.
Megjithatë, përgjatë këtyre viteve partia e presidentit Gjukanoviç është përballur me akuza për qeverisje autokratike dhe lidhje me krimin.
Gjukanoviç, një lider i cilësuar properëndimor, një ditë më parë u shpreh se vota e së dielës do të përcaktojë nëse Mali i Zi do të vijojë rrugën drejt BE-së ose do të lejojë që Serbia dhe Rusia të rrënjosen ne vend.
Sipas sondazheve, Partia Demokratike do të arrijë të fitojë mbi forcat e tjera politike, por nuk do të sigurojë mjaftueshëm vota për të formuar e vetme qeverinë. Zgjedhjet e këtij vitit zhvillohen po ashtu në një situatë aspak të zakontë për shkak të pandemisë.
Eunews.al