×
E mërkurë, 21 Tetor, 2020

Zgjedhjet në Kroaci/ Kandidatja shqiptare: Parlamenti duhet t’i takojë një shqiptari

1 Korrik, 2020

Të dielën e ardhshme në datën 5 korrik do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kroaci. Në këto zgjedhje garon edhe shqiptarja nga Hasi, Ermina Lekaj Prljaskaj.

Gjatë një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Prljaskaj tregon mënyrën se si po ecën fushata elektorale atje, duke pasur parasysh edhe situatën e COVID-19.

“Sa i përket procesit të fushatës jam e kënaqur sepse jam në takime me bashkëatdhetarët tanë. Jam e kënaqur nga ana tjetër pasi asnjë nga bashkëatdhetarët tanë nuk është i prekur me COVID. Ne jemi 7 kandidatë, 4 janë boshnjakë, 3 jemi shqiptarë dhe gjithmonë apeloj tek shqiptarët që ne të mos e lëshojmë selinë e parlamentit kroat sepse kjo është një gjë shumë e shenjtë për popullin shqiptar”, thotë ajo.

“Me ardhjen time në parlament, ne jemi bërë një faktor i rëndësishëm i shqiptarëve, duke mos harruar këtu se kemi dhënë një kontribut të madh, mirëpo tani kemi arritur aty ku e meritojmë të jemi si një komunitet. Unë jam në fushatë dhe mundohem që të gjitha qytetet kryesore të Kroacisë ku janë bashkëatdhetarët tanë, t’i vizitoj. Problem është se ne shqiptarët jemi të shpërndarë anë e mbanë Kroacisë dhe mua më duhet më shumë kohë që të arrij të takoj çdo votues pavarësisht se ku gjendet,”- shprehet deputetja shqiptare.

Shqiptarja Ermina Lekaj Prljaskaj, mban prej disa vitesh postin e deputetes shqiptare në Parlamentin e Kroacisë. Ajo tregon disa nga sukseset që ka arritur deri në ditët e sotme.

“Gjatë këtij mandati kemi arritur të blejmë tre shtëpi kulture ndërsa po punojmë për të katërtën. Gjatë kësaj periudhe kam qenë urë lidhëse mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Kroacisë. Me ardhjen time në parlament, kemi themeluar edhe shoqërinë miqësore mes parlamentit të Kosovës dhe Kroacisë. Të gjithë bashkëatdhetarët të cilët jetojnë prej vitesh në Kroaci dhe për shkak të fletëlëshimit nga Serbia kanë arritur t’i realizojnë të drejtat e tyre, kemi arritur t’i ndihmojmë të realizojnë të drejtat e tyre në marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kroacisë”, shton ajo.

“Më pas, kuotat e punëtorëve nga Kosova. Kjo ka qenë me iniciativën time. Kam kërkuar nga Kryetari i qeverisë dhe ministri për punësim që këtu të bëhet një marrëveshje ose tju lejohet shqiptarëve që kanë biznese t’i pranojnë ato apo anëtarët e familjes së tyre të punësohen në Kroaci. Shoqatave shqiptare iu kam rritur buxhetin për punën e tyre. Kam mundësuar që bashkëatdhetarët tanë të mos japin para nga xhepi i tyre, por të jenë të siguruara nga buxheti shtetëror. Gjatë infeksioneve të ndryshme, kam intervenuar në parlamentin kroat që të mos dënohet bizneset e shqiptarëve. Është rritur numri i të punësuarve shqiptar në institucionet shtetërore kroate. Janë dhënë bursa të ndryshme për studentët shqiptarë, të lindur dhe të rritur në Kroaci”, thekson ajo.

Ajo vijon të rendisë të tjera suksese gjatë punës së saj duke thënë se, “mes Kosovës dhe Kroacisë është nënshkruar marrëveshja për studentët dhe nxënësit shqiptarë që mund të vijojnë mësimin në Kroaci. Ka edhe shumë punë të tjera por këto janë vetëm disa prej tyre. Mburrem me këto që kam arritur deri më sot”.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për