×
Wednesday, February 12, 2025

Zgjedhjet e 11 majit, Balla apel diasporës: Regjistrohuni që të merrni fletën e votimit në adresë

January 17, 2025


Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla përsëriti sot thirrjen për diasporën për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.

Teksa ndodhet në udhëtim nëpër Itali, për një seri takimesh me komunitetet shqiptare në qytete të ndryshme, Balla tha se nuk ka shumë kohë, ndaj regjistrimi duhet bërë që në këtë çast.

“25 mijë bashkatdhetarë kanë aplikuar deri tani për t’u regjistruar si votues nga jashtë. Deri më 4 mars janë dhe 45 ditë. Nuk ka shumë kohë, ndaj nëse jeni zgjedhës, pra shtetas shqiptar me të drejtë vote me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë, ju do të mund të votoni nga shteti ku keni aktualisht vendqëndrimin”, u shpreh Balla përmes një videomesazhi.

Ai nxiti shqiptarët që jetojnë jashtë  të regjistrohen për të marrë fletën e votimit në adresën e tyre.

“Kush jeton jashtë Shqipërisë dhe dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, duke votuar me postë nga aty ku banon, duhet të regjistrohet që të marrë fletën e votimit në adresë dhe pastaj ta rikthejë me atë postë. Ne e mbajtëm fjalën dhe e miratuam ligjin për votimin nga jashtë vendit, tani është radha juaj të na jepni mbështetjen që të vazhdojmë përpara Bashkë për Shqipërinë 2030. Unë ju ftoj të votoni Partinë Socialiste me Edi Ramën dhe një prej kandidatëve të ekipit tonë “Shqipëria 2030””, u shpreh Balla.




Comments are closed.