×
Wednesday, October 16, 2024

Zgjedhja e Presidentit, Balla: Në raundin e tretë të shkohet me një kandidat

May 24, 2022


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se presim propozime konkrete nga opozita për Presidentin e ri.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për përcaktimin e datës së votimit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Balla theksoi se “ju garantoj se nuk kam marrë asnjë emër konkret nga opozita, që të kem mundësinë të shkoj tek grupi parlamentar i PS-së dhe kryesia dhe të them që ky është propozimi që ka ardhur nga opozita, si të shprehem unë kur nuk kam një propozim”.

“Ka një propozim nga një pjesë e opozitës që të mbështesin një kandidaturë. Ka një propozim tjetër për të vazhduar negociatat, nëse do i quajmë të tilla ku ata të vijnë me emrat e tyre dhe ne të shohim mundësinë që brenda atyre emrave kush do të jetë zonja dhe zotëria që përmbush pritshmëritë e shqiptarëve apo edhe tonat. Kjo është çështja që unë dua atë ndalem e të them ne jemi për të gjitha mënyrat e mundshme me përjashtimin e formulës së propozuar nga Alibeaj, 4-2-1, që nuk është negociatë”, nënvizoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se “në këtë aspekt orët, ditët në vijim do të jenë intensive bisedash me kolegët e opozitës që në raundin e tretë të shkohet me një kandidat. Besoj ajo që është gjëja më e qartë është që edhe në raundin e tretë nuk do të ketë kandidat të propozuar me 20 firma apo më shumë nga PS”.

“Ka pasur keqkuptim, nuk kam kuptuar atë që doja të kuptoja? Ok, por sot është e qartë. Do kemi 6 ditë kohë që të shkojmë deri në datë 30 me një emër. Kusht, o zgjidh një nga katër emrat e mi ose s’pranoj kjo është e qartë. Në të gjithë historinë e bisedimeve për të zgjedhur Presidentin, gjëja që këtë radhë është vënë si standard dhe do të jetë afatgjatë , është që edhe në raundin e dytë edhe të tretë nuk do të ketë një kandidaturë të ardhur nga mazhoranca”, theksoi Balla.




Comments are closed.