×
Friday, February 7, 2025

Zgjatja e afatit të vetingut, Soreca: Votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE

February 7, 2022


Kreu i Delegacionit të bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot se, “votimi për zgjatjen e afatit të vetingut, të ndryshimit kushtetues, është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”.

Në një prononcim për mediet nga Korça, Soreca foli mbi zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut.

Soreca tha se, “ju e dini qëndrimin tonë. BE ka qenë shumë i qartë për këtë gjë. Që prej muajit nëntor të vitit të shkuar ne kemi thënë që zbatimi i reformës në drejtësi dhe i vetingut është tejet i rëndësishëm për vendin. Kjo u konfirmua edhe nga Komisioni i Venecias në muajin dhjetor, kur nuk u identifikua ndonjë problem për zgjatjen e afatit të vetingut për një periudhë tjetër 2 vjeçare. Është e rëndësishme të garantojmë të njëjtat standarde të procesit të vetingut për të gjithë gjyqtarët. Prandaj votimi për zgjatjen e afatit të vetingut, të ndryshimit kushtetues, është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”.

I pyetur për dënimin nga apeli i GJKKO i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Soreca tha se, “unë nuk e kam zakon të bëj komente për procedura në vijimësi, apo për çështje specifike. Megjithatë, po të shihen disa nga vendimet e fundit të gjykatave dhe të prokurorisë atëherë shihet dhe një pavarësi më e madhe, më e fortë e gjyqësorit. Dhe në fakt ky është lajm i mirë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.

Për punën e SPAK, Soreca theksoi se, “shohim sinjale të mira nga puna si e gjyqtarëve ashtu dhe e prokurorëve. A mjafton kjo? Jo ne presim edhe më shumë nga të gjithë ato institucione që janë të përfshira në sistemin e drejtësisë”.

I pyetur për aktivitetin politik të ish-kryeministrit Sali Berisha, megjithëse është shpallur “non-grata” nga SHBA, Soreca u shpreh se, “më lejoni të mos komentoj në lidhje me zhvillimet e brendshme të partisë. ne kemi ndjekur dhe vijojmë të ndjekim parimin e mos ndërhyrjes. Do të ketë dhe zgjedhje, siç e dimë në të ardhmen. Ne vazhdojmë punën tonë duke biseduar me të gjitha forcat politike në vend për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit dhe në veçanti edhe me zgjatjen e vetingut”.

Soreca i dha këto deklarata pas një takimi në Universitetin e Korçës, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

Soreca theksoi se, “e ftova ministren e Bujqësisë që të ishte pjesë e këtij takimi dhe është kënaqësi për të dy ne që jemi këtu sot dhe që kemi pasur mundësi që të flasim për bujqësinë dhe të ardhmen e bujqësisë në vend. 40% e qytetarëve të Shqipërisë jetojnë në zonat rurale, ndërkohë që 50% e krahut të punës punon në bujqësi. Prandaj bujqësia është e një rëndësie tejet të madhe për vendin. Prandaj për këtë rëndësi që ka bujqësia edhe programi IPARD i BE, i cili ka fonde pikërisht për bujqësinë, ne kemi parë që këto vitet e fundit, që kur ka filluar ka qenë një histori e vërtetë suksesi. Prandaj dhe javën e shkuar ka qenë kënaqësi që së bashku me kryeministrin e vendit dhe ministren e Bujqësisë të flisnim për një pjesë tjetër të këtij programi të IPARD-it që ka të bëjë me turizmin rural. Bujqësia është vërtetë shumë e rëndësishme, prandaj dhe programi IPARD nuk është një program abstrakt përkundrazi është një program praktik dhe për ne është shumë e rëndësishme që të ndihmohet vendi dita-ditës, sepse integrimi në BE ndodh dita-ditës në Shqipëri, ndodh çdo ditë, ashtu siç do të ndodhë edhe me fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE”.




Comments are closed.