×
Wednesday, October 16, 2024

Zelensky: Jemi të gatshëm të pranojmë statusin neutral të Ukrainës

March 28, 2022


Ukraina është e gatshme të pranojë statusin neutral si pjesë të marrëveshjes së mundshme të paqes me Rusinë, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë me gazetarët e pavarur rusë të bërë ditën e djeshme.

“Garancitë e sigurisë dhe statusi neutral, jo-bërthamor i shtetit tonë. Ne jemi të gatshëm ta pranojmë këtë. Kjo është pika më e rëndësishme,” tha Zelensky për gazetarët “kjo ishte pika e parë parimore për Federatën Ruse, siç më kujtohet. Dhe me sa mbaj mend, ata filluan luftën për këtë.”

Çdo marrëveshje duhet t’i paraqitet para popullit ukrainas në një referendum, tha Zelensky teksa theksoi përsëri dëshirën e tij për të arritur një marrëveshje konkrete paqeje.

“Pra, kjo klauzolë është një klauzolë garancie sigurie për Ukrainën. Dhe duke qenë se ata thonë se është edhe për ta garanci sigurie, është e kuptueshme për mua dhe po diskutohet. Është çështje e thellë, por unë jam i interesuar të sigurohem që të mos jetë vetëm një tjetër copë letër”. shtoi Zelensky dhe shtoi “pra, ne jemi të interesuar që ai dokument të kthehet në një traktat serioz për t’u nënshkruar.”

Zelenksy tha gjithashtu se “çështjet e Donbasit dhe Krimesë duhet të diskutohen dhe zgjidhen” në bisedimet e paqes që do të zhvillohen në qytetin turk të Stambollit ditën e martë.

Ai ishte i prerë dhe u tha gazetarëve rusë se do të refuzonte të ulej me negociatorët rusë nëse ata kërkojnë të diskutojnë vetëm “denazifikimin” e Ukrainës. Ukraina nuk do të diskutojë fare termat “denazifikim” dhe “çmilitarizim” gjatë bisedimeve me Rusinë, tha Zelensky.

Ndërkohë në Rusi kjo intervistë e Zelenskyt u ndalua rreptësisht të transmetohej, gjë të cilën Zelensky e komentoi duke thënë se Moska ishte “e frikësuar” nga gazetarët “të cilët mund të thonë të vërtetën”.

“Njerëz të fortë të vendit tonë të fortë, sot është dita kur jam i bindur vazhdimisht se sa larg jemi nga Federata Ruse,” tha Zelensky në fjalimin e tij të fundit video. “Vetëm imagjinoni pak, ata u frikësuan në Moskë për shkak të intervistës sime me gazetarët rusë, prej tyre që mund të thonë të vërtetën. Ata shkatërruan lirinë e fjalës në shtetin e tyre, dhe po përpiqen ta shkatërrojnë edhe në shtetin fqinj. Ata e portretizojnë veten si lojtarë globalë. Dhe ata vetë kanë frikë nga një bisedë relativisht e shkurtër me disa gazetarë. Epo, nëse ka një reagim të tillë, atëherë ne po bëjmë gjithçka siç duhet. Do të thotë se ata janë nervozë.”




Comments are closed.