Zelensky falënderon Austin për lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e armëve
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky falënderoi dje në mbrëmje sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, për lëvizjet e fundit të SHBA-së për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në rezistencën e saj ndaj pushtimit rus.
“Ne i jemi shumë mirënjohës presidentit Joe Biden dhe administratës së tij për ndihmën e tyre të vazhdueshme në luftën për lirinë dhe pavarësinë tonë”, tha Zelensky.
“Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për vendimin e administratës amerikane për të lejuar sulme të kufizuara me armë amerikane në territorin e Rusisë për të kundërshtuar efektivisht përpjekjet e Rusisë për të zgjeruar zonën e luftimit”, thuhet në një deklaratë të qeverisë ukrainase.
Zelensky u takua me Austin në samitin “Shangri-La Dialogue”, një ngjarje vjetore e organizuar në Singapor nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) me qendër në Londër.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus nuk do të lëkundet kurrë”, tha Austin në platformën X.
Ai rikonfirmoi angazhimin e SHBA-së për të mbajtur një koalicion prej mbi 50 vendesh për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë lirinë e saj.
Zelensky falënderoi Austin për punën e tij për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
“Kjo është rruga më e rëndësishme tani për të mbrojtur jetën e ukrainasve, qyteteve tona, komuniteteve dhe infrastrukturës civile”, tha ai.







