×
Monday, November 29, 2021

Zaev uron shqiptarët: “Gëzuar Ditën e Alfabetit” , thelbi i shoqërisë sonë multikulturore!

November 22, 2021

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, uroi përmes një postimi në Facebook Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar se si shtet, konfirmojnë se gjuha dhe shkrimi janë ura për mirëkuptim mes traditave, kulturave dhe trashëgimisë shpirtërore.

“Për këtë na thërrasin vlerat tona maqedonase, të cilat në të njëjtën kohë janë europiane dhe me të cilat po ecim në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kremtimi i vlerave kulturore, ngjarjeve dhe traditave të të gjitha bashkësive etnike, përfshirë edhe atë shqiptare, është thelbi i shoqërisë sonë multikulturore. Është një kontribut i fuqishëm për një të ardhme të begatë dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar ndër të tjera Zaev.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferri, bëri gjithashtu urimet e tij. “22 nëntori është një festë jashtëzakonisht e rëndësishme për bashkësinë shqiptare, festë me të cilën kremtohet alfabeti i unifikuar, gjuha dhe shkrimi si katalizator i ngritjes intelektuale, kulturore, arsimore e politike të shqiptarëve”, është shprehur Xhaferri.

Kongresi i Manastirit u hap në 14 nëntor dhe vazhdoi deri në 22 nëntor të vitit 1908.  Në të morën pjesë 32 delegatë më të drejtë vote si dhe 18 të tjerë pa të drejtë vote.

Ky kuvend, i përshkruar jo thjesht si një mbledhje për gjuhën, por si një manifestim politik, mblodhi të dërguar nga qytetet e vilajetet e Manastirit, Kosovës, Janinës, Shkodrës, si dhe shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, SHBA, Egjiptit dhe Italisë.

Në mesin e delegatëve pjesëmarrës kishte emra të shquar si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Parashqevi Qiriazi, Simon Shuteriqi etj.

Eunews.al

Comments are closed.