×
Monday, June 14, 2021

Xho Bajden ka një plan që mund të funksionojë

March 7, 2021

Nga Joseph Stiglitz

Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, ka propozuar një plan të stimulit fiskal prej 1.9 trilionë dollarësh, për ta ndihmuar ekonominë amerikane të rimëkëmbet nga dëmet e shkaktuara nga pandemia e Covid-19. Shumë republikanë e kundërshtojnë atë, të nxitur papritmas nga një disiplinë e rreptë fiskale, të cilën e braktisin në mënyrë misterioze sa herë që hyjnë në Shtëpinë e Bardhë.

Shkurtimet e taksave që Donald Trump bëri për miliarderët dhe korporatat e mëdha në vitin 2017, prodhuan deficitet fiskale më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në historinë e vendit, me përjashtimit të periudhave të recesioneve ekonomike të rënda dhe luftës. Por investimet dhe premtimet e premtuara, nuk u panë gjëkundi.

Në këto kushte, plani i propozuar nga Bajden është më se i nevojshëm. Disa të dhëna të fundit, tregojnë një ngadalësim të rimëkëmbjes ekonomike në SHBA, si për sa i përket PBB-së, ashtu edhe punësimit.

Ka shenja të forta se paketa e rimëkëmbjes, do të sigurojë një stimul të madh për ekonominë: rritja do të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme nga taksat, jo vetëm për qeverinë federale, por edhe për ato shtete dhe qytete, që sot nuk mund të garantojnë dot as shërbimet thelbësore ndaj qytetarëve.

Ata që e kundërshtojnë planin e Bajden, po i japin gjithashtu kredite paralajmërimeve ogurzeza mbi rreziqet e inflacionit. Është e vërtetë, disa të dhëna sugjerojnë se pagat në disa sektorë mund të ulen. Por nëse inflacioni rritet, Shtetet e Bashkuara kanë mjete të shumta fiskale dhe monetare në dispozicion për të reaguar.

Natyrisht, ekonomia do të ishte më mirë pa norma interesi zero. Ajo do të ishte gjithashtu edhe më mirë, nëse ligjvënësit do të miratonin taksat e ndotjes industriale, dhe do të zbatonin një progresivitet më të madh në sistemin e taksave. Nuk ka asnjë arsye pse amerikanët më të pasur, duhet të paguajnë më pak taksa sesa ata më të varfër.

Më të pasurit u prekën më pak nga pandemia, ndërsa sistemi regresiv i taksave në SHBA, duket më i padrejtë se kurrë më parë. Covid-19 ka shkatërruar disa sektorë të ekonomisë, duke sjellë falimentimin e shumë kompanive, sidomos atyre më të vogla.

Mosmiratimi i një pakete të gjerë masash të rimëkëmbjes, mund të prodhojë dëme edhe më të mëdha, pasi ecuria e dobët ekonomike shkakton ankth (që kombinohet me atë të shkaktuar nga pandemia), duke çuar në një rreth vicioz, në të cilin sjellja tepër e matur e ul konsumin dhe investimet gjithashtu.

Bilancet e dobëta dhe falimentimet, ushqejnë një lloj “virusi” që do të infektojë të gjithë ekonominë. Në fund fare, kompanitë që falimentuan gjatë pandemisë nuk do të ngrenë dot krye as kur Covid-19 të vihet nën kontroll. Fakti që epidemia është globale, i përkeqëson më tej gjërat.

Ndërsa shumë vende në zhvillim nuk janë goditur ende me ashpërsinë që kishin frikë, ngadalësimi i paparë në ekonominë globale, po sjell rënien e kërkesës për eksportet e SHBA-së. Kina luajti një rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen pas krizës financiare të vitit 2008. Ajo ishte e vetmja ekonomi e madhe që u rrit në vitin 2020, por gjithsesi pati një ecuri shumë më të dobët sesa një dekadë më parë.

Kina ka tani mundësi që të rritë edhe bilancin e saj tregtar, duke siguruar një shtysë pak më të madhe për rritjen globale. Prioriteti i parë i planit të Bajdenit, është të vendosë fonde në dispozicion për të luftuar pandeminë, të lejojë rikthimin e nxënësve dhe studentëve në shkolla, dhe të sigurojë që shtetet dhe autoritetet lokale të vazhdojnë të ofrojnë shërbime (shëndetësi, arsim etj), nga të cilat varet jeta e njerëzve.

Zgjatja e përfitimeve të papunësisë, nuk do të ndihmojë vetëm më të prekshmit. Ofrimi i sigurisë financiare, mund të çojë gjithashtu në rritje të shpenzimeve, nga të cilat përfiton e gjithë ekonomia. Gjatë presidencës së Donald Trump, programet mbi biznesin e vogël, nuk ishin aq efektive sa duhej.

Kjo pjesërisht, pasi shumë para shkuan për biznese që nuk ishin vërtet të vogla, dhe pjesërisht për shkak të një numri problemesh burokratike. Duket se administrata Bajden po i korrigjon këto probleme. Nëse do jetë vërtet kështu, forcimi i ndihmës për aktivitetet ekonomike, jo vetëm që do të ndihmojë në një periudhë afatshkurtër, por gjithashtu do ta kthejë ekonominë amerikane në rrugën e duhur, kur ta kemi lënë pas pandeminë.

Ekonomistët do të diskutojnë mbi çdo aspekt të planit:sa para duhet të shkojnë për këtë apo atë sektor; cili duhet të jetë pragu që i jep dikujt të drejtë të marrë ndihmë në para; si të reformohet programi i përfitimit të papunësisë.

Njerëzit e arsyeshëm, mund të mos bien dakord mbi detajet. Ndaj adresimi i shqetësimit të tyre, është pjesë e kompromisit politik. Por për dy gjëra duhet të bien dakord që të gjithë:duhen urgjentisht shuma të mëdha parash; dhe ta kundërshtosh këtë nevojë, siç bëjnë republikanët, është mizore dhe dritëshkurtërsi. / Internazionale

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për