×
Saturday, March 6, 2021

Vritet ambasadori italian në Kongo

February 23, 2021

Ambasadori i Italisë në Republikën Demokratike të Kongos është vrarë në një sulm ndaj një autokolone të Kombeve të Bashkuara pranë qytetit lindor Goma të Kongos.

Programi Botëror i OKB-së për Ushqimin tha se të paktën dy persona të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në sulmin e së hënës ku u vra ambasadori italian Luca Attanasio.

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara i tha Zërit të Amerikës se dy viktimat e tjera ishin një shtetas italian dhe një shofer kongolez i programit. Zëdhënësi tha se sulmi kishte si objektiv dy automjete të programit të OKB-së që po udhëtonin rreth 25 kilometra në veri-lindje të qytetit Goma.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Në një deklaratë OKB-së thuhet se delegacioni po udhëtonte nga Goma për të vizituar një program ushqimi shkollor në Rutshuru kur ndodhi incidenti. Ai vuri në dukje se sulmi “ndodhi në një rrugë që ishte kontrolluar më parë për arsye sigurie”.

Agjencia Reuters, duke cituar Parkun Kombëtar të Virungas, njoftoi se autokolona u sulmua pranë zonës Kanyamahoro si pjesë e një përpjekjeje për rrëmbim.

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio lëshoi një deklaratë ku shpreh “trishtimin e tij të madh” për vdekjen e bashkatdhetarëve të tij. “Rrethanat e këtij sulmi brutal nuk dihen ende dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi, “tha ministri Di Maio.

Lindja e pasur me minerale e Kongos ka qenë për më shumë se dy dekada një fushë beteje për grupe të shumta të armatosura, pasi militantët e përfshirë në gjenocidin e Ruandës në vitin 1994 u larguan përtej kufirit. Paqeruajtësit e OKB-së janë përpjekur të rikthejnë paqen në rajon për më shumë se një dekadë.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për