×
Tuesday, August 9, 2022

Votohet qeveria e re e Kosovës e kryesuar nga Albin Kurti

February 4, 2020

Shumica parlamentare e Kuvendit të Kosovës kanë votuar qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga kreu i Vetëvendosjes (VV), Albin Kurti, partia e të cilit grumbulloi më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në tetor.

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi, Kurti zyrtarisht mori drejtimin e qeverisë së re në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Deputetët e opozitës u larguan nga salla në momentet e votimit të qeverisë së re dhe përveç deputetëve të VV-së dhe LDK-së qeverinë e re e votuan edhe deputetë të komuniteteve pakicë boshnjake, turke, rome, shkali dhe egjiptian. Dhjetë deputetët e Listës Serbe abstenuan në këtë votim.

Kurti, kreu i VV-së dhe i propozuari për kryeministër në Kuvend, fillimisht shpalosi planin e tij qeverisës para deputetëve dhe u kërkoi atyre ta votojnë qeverinë e tij. Duke shpalosur disa nga pikat e programit të tij qeverisës, ai po ashtu tha se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdohet për të përmirësuar raportet bilaterale dhe për të krijuar një fqinjësi të mirë.

“Dialogu zhvillohet për çështjet e raporteve bilaterale dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksesionit të ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstituiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis dy shteteve”, tha Kurti.

Qeveria e zgjedhur dhe e kryesuar nga ai, sipas Kurtit do të jetë “qeveri e kursimit të parasë publike dhe gjithashtu edhe qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit”.

“Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike, ashtu edhe siç po e shihni para meje do të jenë 15 ministra, e jo 21 sa ishin më herët. Do të kemi rreth 33 zëvendësministra dhe jo mbi 80 sa ishin më herët. Pra, më pak shpenzime në poste e privilegje që të shpenzojmë më shumë në projekte zhvillimore”, tha Kurti.

Gjithashtu, pas programit qeverisës, Kurti prezantoi emrat e ministrave të kabintetit qeverisës VV-LDK, si në vijim.

Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti; Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca; Ministria e Integrimeve Evropiane – Blerim Reka; Ministria e Drejtësisë – Albulena Haxhiu; Ministria e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit – Hykmete Bajrami; Ministria e Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi; Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu; Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari; Ministria e Mbrojtjes – Anton Quni; Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit – Lumir Abdixhiku; Ministria e Shëndetësisë – Arben Vitia; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi; Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Emilia Rexhepi; Ministria për Komunitete dhe Kthim – Delibor Jevtiq; Ministria për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviq. 

Deputetë të opozitës, duke folur para se të votohej qeveria Kurti për kryeministër, i kanë bërë pyetje dhe e kanë kritikuar Kurtin se ka ndryshuar parimet themelore të tij. Kreu i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, po ashtu tha se do të kërkojnë llogari për çdo gjë nga Kurti, duke kritikuar edhe vonesën prej katër muajsh të formimit të qeverisë.

Dje, Kurti arriti të nënshkruajë marrëveshje për të bashkëqeverisur me LDK-në pas rreth katër muaj takime e biseda në përpjekje të marrëveshjes finale midis partive.

Marrëveshja erdhi pasi deri më sot, ish-kreu i Kuvendit nga rradhët e VV-së, Glauk Konjufca, lëshoi pozitën e kryeparlamentarit për LDK-në, që pritet të votohet, ndërsa ai mori detyrën e re të ministrit të Punëve të Jashtme.

Me një rezultat të ngushtë ndaj LDK-së, Kurti doli i pari në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën në tetor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

VV dhe LDK kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm për të arritur koalicionin qeverisës. Ata formuan edhe grupe punuese nga të dyja partitë për të afruar sa më shumë programin qeverisës. Por, procesi për marrëveshje drejtë zyrtarizimit të koalicionit zgjati deri më 2 shkurt të këtij viti për shkak të mospërputhjeve të tyre rreth ndarjes së pozitave. 

VV e LDK u pajtuan së fundi që t’i ndajnë nga gjashtë ministri secila, tre ministri t’ua japin minoriteteve, kryeministri t’i takojë VV-së, kryeparlamentari LDK-së, ndërsa për pozitën e presidentit të diskutojnë kur të përfundojë mandati i presidentit aktual. 

Kush është Albin Kurti 

Albin Kurti ka lindur më 25 mars të vitit 1975 në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Po në kryeqytet ka kryer arsimin fillor dhe të mesëm. Më 23 prill të vitit 2003, Kurti diplomoi në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës. 

Kurti njihet si veprimtar aktiv politik që nga para lufta, kur ishte pjesëmarrës në protesta të shumta studentore e sidomos për protestën historike studentore të 1 tetorit të vitit 1997 ku ishte udhëheqës i protestës. 

Me fillin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës.

Në vitin 2004 Albin Kurti themeloi Lëvizjen Vetëvendosje, ku edhe pse për një kohë hoqi dorë nga drejtimi i saj, aktualisht e drejton ende këtë parti, e cila ngritjen dhe jehonën më të madhe e ka pasur me një shtresë të rinjsh kosovarë që revoltën e tyre ndaj pushtetit e shprehnin me protesta në rrugë, por më vonë edhe me gazin-lotsjellës në Kuvend të Kosovës për t’i kundërshtuar vendimet e padrejta sipas tyre. 

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit që nga themelimi i saj e deri më tani nuk ka qenë asnjëherë në pushtet qendror.

Kurti ka qenë kandidati për deputet më i votuar në zgjedhjet e vitit 2017. Ai është i martuar me Rita K. Augestad-Knudsen, shtetase e Norvegjisë dhe ka një vajzë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments