×
Tuesday, September 27, 2022

Votimi i emigrantëve/ KQZ prezanton dy mënyra për krijimin e “regjistrit” të votuesve

January 4, 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi sot raportin e parë të grupit të punës që po merret me mundësimin e votës së emigrantëve për zgjedhjet e 25 prillit.

Pjesa e parë e këtij raporti prezanton procedurat që mendohet të ndiqen për krijimin e “regjistrit” të votuesve, me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të votojnë atje ku kanë vendbanimin.

KQZ thekson se deri tani po shqyrtohen dy variante, që kanë të bëjnë me regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Mënyra e parë është që çdo shtetas që jeton jashtë territorit të Shqipërisë duhet të regjistrojë adresën në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe të deklarojë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit.

KQZ për zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit do të mundësojë shërbimin online për të paraqitur kërkesën për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve që votojnë.

“Për shkak të pamundësisë kohore, dhe kapaciteteve teknike të kufizuara, vlerësohet që ky shërbim për këto zgjedhje të ofrohet nëpërmjet infrastrukturës e-Albania”, thuhet në raportin e KQZ.

“Për këto zgjedhje, afati për paraqitjen e kërkesës nga zgjedhësit me vendbanim të përhershëm jashtë vendit, do të fillojë pasi KQZ të ketë miratuar aktin normativ për procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit. Afati i përfundimit të paraqitjes së kërkesave, do të jetë data 24 shkurt 2021. Afati i përfundimit referon afatin e parashikuar, që përcakton se kërkesat për ndryshime në ekstraktin e përbërësve zgjedhor nuk mund të paraqiten me vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Për këtë alternativë KQZ është bazuar te modelet e vendeve si Austria, Bosnjë-Hercegovina dhe Sllovenia.

Mënyra e dytë është që në KQZ do të ngrihet një sistem për regjistrimin dhe administrimin e kërkesave nga shtetasit shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të RSH-së për të shprehur dëshirën e tyre të votojnë në zgjedhjet për Kuvend.

Sistemi do t’ju kërkojë shtetasve shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të RSH të dhëna identifikuese të tilla si: Pasaportë ose kartën ID shqiptare, të vlefshme; adresën në shtetin ku jeton.

Nëse këto të dhëna përputhen, përfshirë edhe adresën e vetë deklaruar jashtë shtetit finalizon regjistrimin në sistem. Sistemi i dërgon me e-mail në kontaktet e deklaruara email/sms linku-n e tij/saj personal/unik dhe të dhënat e tij personale/unike për të marrë pjesë në votim.

Nëse këto të dhëna nuk përputhen, përfshirë edhe mos regjistrimin e vendbanimit të përhershëm jashtë territorit të RSH, sistemi do të njoftojë automatikisht shtetasin për rezultatet e mospërputhshmërisë /mosregjistrimin.

KQZ do të bëjë një fushatë informuese të sponsorizuar përmes faqes zyrtare të KQZ, rrjeteve sociale si Facebook, Twitter, Youtube, etj., për të ndërgjegjësuar zgjedhësit të marrin pjesë në këtë proces.

Kjo fushatë do të fokusohet tek zgjedhësit të cilët kanë vendbanim jashtë territorit të Shqiperise.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments