Von der Leyen: BE-ja mbyll hapësirën ajrore për avionët rus



Së pari, ne po mbyllim hapësirën ajrore të BE-së për avionët në pronësi ruse, të regjistruara ose të kontrolluara nga Rusia. Ata nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së, duke përfshirë avionët privatë të oligarkëve, deklaroi sot në një konferencë për shtyp presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Rrjetet televizive ndërkombëtare të kontrolluara nga shteti rus “Russia Today-RT” dhe “Sputnik”, dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit. Ne po zhvillojmë mjete për të ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë,” tha Von der Leyen në Twitter.
“Së treti, ne do të synojmë agresorin tjetër në këtë luftë, regjimin e Lukashenkos, me një paketë të re sanksionesh, duke goditur sektorët e tyre më të rëndësishëm. Të gjitha këto masa janë në krye të paketës së fortë të prezantuar dje, të rënë dakord nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, shtoi ajo.
Udhëheqja e presidentit Zelensky, guximi i tij dhe qëndrueshmëria e popullit ukrainas janë një frymëzim për të gjithë ne. Ne i mirëpresim krahëhapur ata që duhet të largohen nga bombat e Putinit. Ne mbështesim shtetet tona anëtare lindore për të pritur dhe kujdesur për këta refugjatë”, tha presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ne jemi duke rritur mbështetjen tonë për Ukrainën. Për herë të parë, BE-ja do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve në një vend të sulmuar. Ne gjithashtu po forcojmë sanksionet tona kundër Kremlinit,” shtoi ajo.
