×
Friday, February 7, 2025

Vetting në media dhe një mbështetje nga Ambasada Amerikane

May 22, 2020


Prej disa kohësh po publikohen në media të tjera online, fakte skandaloze në lidhje me pronarët e mediave, në lidhje me kompani koncesionare me qeverinë, ortakëri që vijnë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga qeveria tek pronarë televizionesh.

Nga ana tjetër pronarë që ndërtojnë, që fitojnë tendera, e më tej trafikantë droge të dënuar që janë pronarë mediash.

Ambasada e SHBA-ve, disa nga këta i ka shpallur non grata. Nuk hyjnë dot në SHBA dhe ende nuk është bërë publike një listë. Por, ndoshta ka ardhur koha që ambasadës t’ia kërkojmë këtë listë. Ta bëjë publike dhe të na thotë emrat e personave që iu është refuzuar viza për në SHBA. Ekskluzivisht njerëzit e medias, por do të ishte edhe më e rëndësishme në rast se lista do të përfshinte edhe politikanët.

Por, le të qëndrojmë tek media.

Media sot ka nevojë për Vetting, dhe për këtë duhet mbështetja e Ambasadës Amerikane. Duhet një Vetting me çdo kusht. Duhet bërë një transparencë e pronarëve të medias, kush janë, nga vijnë, si i kanë siguruar pasuritë.

Kështu shqiptarët do të mësojnë se në këto 30 vite media nuk ka qënë avokatia e publikut. Nuk ka qënë avokatia e qytetarëve, por ka qënë pjesa e pazarit politik të ditës dhe e korrupsionit të sistemit 30-vjeçar.

Një Vetting në media dhe një e vërtetë që na duhet me ndihmën e Ambasadës Amerikane. Sepse ka pasur edhe një deklaratë pak kohë më parë, nga një zyrtar i saj. Pas një takimi që pati një biznesmen në këtë institucion, erdhi një reagim mjaft i fortë.

Gjithashtu ka pasur edhe biznesmenë që kanë akuzuar televizione kombëtare dhe media të rëndësishme për gjobëvënie. Ka raste ku pronarë televizionesh dalin me njolla. Pa folur pastaj për ata të përfshirë në tendera, shantazhe, e të tjera si këto.

Ndaj edhe është momenti që të kërkojmë një Vetting në media dhe një mbështetje nga ambasada e SHBA-ve, për ta bërë këtë Vetting dhe për të treguar një herë e mirë, të vërtetën e dhimbshme se kush është media në Shqipëri.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments