VENDIMI: Sali Berisha humb gjyqin, mbetet “non grata” në Britani
Beteja ligjore e Sali Berishës kundër ‘non gratës’ nga Mbretëria e Bashkuar përfundon me humbje. Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit ka rrëzuar apelimin e kreut të Partisë Demokratike, i cili prej vitit 2022 kërkonte revokimin e vendimit për shpalljen e tij ‘non grata’.
Në vendimin prej 24 faqesh, Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit, arsyeton se ankimi i bërë nga Berisha bazohet në një keqkuptimin dhe e rikujton atij se po kërkon një të drejtë që nuk e ka gëzuar ndonjëherë.
“Në këndvështrimin tonë, ky apelim bazohet në një keqkuptim. Dr. Berisha nuk ka gëzuar asnjëherë ndonjë të drejtë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë bazuar në ligjet e brendshme ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare. Kështu ka qenë edhe kur ai shërbente si kreu i Shtetit dhe kreu i Qeverisë dhe, aq më tepër, pas largimit nga këto funksione”, thuhet në reagimin nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit.
Në vendim, arsyetohet gjithashtu se Britania e Madhe si një vend sovran mund të përcaktojë për këdo ndalimin e hyrjes në territorin e saj.
“Sa i përket të drejtës ndërkombëtare, vendimi për ta pranuar apo jo atë në Mbretërinë e Bashkuar, është ushtrim i të drejtës sovrane të Mbretërisë së Bashkuar për të kontrolluar hyrjet në territoritorin e vet. Në këndvështrimin tonë, vendimi për të përjashtuar Dr.Berishën ishte gjithashtu, në terma të së drejtës ndërkombëtare, ushtrim ekuivalent i të drejtës sovrane të MB për të kontrolluar hyrjet në territorin e vet”, vijon deklarata.







