×
E mërkurë, 25 Nëntor, 2020

Vendimi i shkencëtarëve të Oksfordit/ Ndalohet testimi i hidroksiklorinës, nuk e shëron koronavirusin

5 Qershor, 2020

Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit kanë marrë vendim për ndalim të menjëhershëm të testimit të ilaçit hidroksiklorinë, pasi është vërtetuar se nuk ka pasur efekt në shërimin e koronavirusit të ri.

Në kuadër te testimeve për shërimin e koronavirusit të ri janë duke u shfrytëzuar edhe ilaçe tjera të licencuara, të cilat përdoren për probleme tjera shëndetësore.

Mirëpo pas rishikimit të të dhënave të enjten, udhëheqësit e studimit i kanë dhënë fund testimit të hidroksiklonës, pasi ai nuk ka pasur efekt në parandalimin e vdekjeve të pacientëve të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Hulumtuesit kanë gjetur se 25.7 për qind e pacientëve, që u është dhënë ky ilaç, kanë vdekur pas 28 ditëve, në krahasim me 23.5 për qind të pacientëve që janë trajtuar me ilaçe tjera.

Ky lajm vjen pasi një artikull i publikuar në revistën kërkimore The Lancet, që ka gjetur se hidroksiklorina rrit rrezikun e vdekjes te pacientët me koronavirus, është tërhequr për shkak të shqetësimeve në grumbullimin e të dhënave.

Mbretëria e Bashkuar është vendi i dytë në botë, me numrin më të madh të të vdekurve, si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në muajin mars, këshilltari qeveritar, Patrick Vallance, pati thënë se mbajtja e numrit të vdekjeve nën 20,000 do të përbënte “rezultat të mirë”.

Përndryshe, Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi i ri.

Sipas të dhënave të Universtetit Johns Hopkins, 1.8 milion persona janë infektuar me këtë virus në territorin amerikan. Prej tyre, mbi 100,000 kanë vdekur.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për