×
Wednesday, January 22, 2025

Vendimi i DASH për Berishën, paralajmërim për Ilir Metën

May 20, 2021


Ish kryeministri dhe ish presidenti Sali Berisha nuk është politikani i vetëm që ka marrë një mesazh të fortë nga vendimi i fundit i Departamentit të Shtetit. Në deklaratën e plotë të DASH përveç familjarëve të Berishës përmenden edhe aleatët e tij, pa u specifikuar kush janë ata.

“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.”


“Për më tepër, – thuhet në deklaratë, – retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.”

Aleatët e Sali Berishës në qeverisje dhe në opozitë mund të jenë shumë, por kreu i shtetit Ilir Meta është i vetimi që është përfshirë në një spirale përplasjeje publike me ambasadoren amerikane Yuri Kim gjatë muajve të fundit.

Historia e përplasjes mes të dyve kulmoi dy ditë para zgjedhjeve, gjatë një emisioni në Syri tv, kur Meta tregoi një bisedë mes tij dhe ambasadores amerikane Juri Kim, e cila i kishte kujtuar se SHBA “dinë disa gjëra për të”. Kësaj shprehjeje që Meta e konsideroi shantazh, ai i ishte përgjigjur me sfidën për të publikuar çdo fakt dhe dokument të mundshëm që kishin amerikanët.

“I thash cfarë dini për mua nxirrini thuajini. Nëse ajo (ambasadorja) dëshiron të dalë në podium të bëjë fushatë me Ramën le të dalë, ne do të mbrojmë zgjedhjet. I kam thënë Donld Lu, jo ti por Sekretari i Mbrojtjes që ka raketat bërthamore, edhe për atë nuk dua t’ja di nëse mendoj se kam të drejtë.

Cfarë ka Amerika dhe BE për mua ti nxjerrin. Më keni parë mua të ndërhyj në punët e Amerikës? Jo, as ata të mos ndërhyjnë. Amerikën e duam për zgjedhjet e lira. Po të jetë se kemi frikë nga Amerika se ka aeroplanmbajtëse dhe raketa, ka edhe Rusia, duhet të kemi frikë edhe nga Rusia, ka edhe ky, koreano-veriori, edhe ai ka, por ne e duam për demokracinë” tha Meta gjatë emisionit.

“U kam thënë nëse keni gjë më mua, ju më lajmëroni kur e keni, se unë e di që ju edhe më vrisni, i kam thënë, po të vete te Mali me Gropa më lëshoni ndonjë raketë, që të mos dëmtoj njerëz të tjerë, se nuk e kam problem. Por SHBA nuk kanë gjë me Ilir Metën se është politikani më luajal me Amerikën në 30 vite” ishte deklarata e tij dy ditë përpara zgjedhjeve

Ambasadorja nuk i ka komentuar këto deklarata. Gjatë një interviste në Opinion, Yuri Kim tha se nuk kishte asgjë personale me Ilir Metën dhe se reagimet e saj ishin të konsultuara në Uashington. Ambasadorja refuzoi t’i përgiigjej pyetjes nëse mes Presidentit Ilir Meta dhe Shteteve të Bashkuara ka një problem konkret apo janë tensione të cilat krijohen nga konsumi i përditshëm politik.

Pjesë nga Intervista

Opinion: Ambasadore, ju patët një debat të fortë me Presidentin e Republikës Ilir Meta. Çfarë ndodhi midis jush dhe Presidentit të Republikës?

Yuri Kim: E di që njerëzit duan të shohin pak drama dhe emocione, por ajo që do përsëris është se kur flas, flas në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe e bëjmë këtë seriozisht, kur arrijmë një qëndrim dhe detyra ime është të siguroj që qëndrimi ynë është sa më i qartë që mundet.

Përpiqemi ta bëjmë këtë shumë të qartë, së pari për Qeverinë Shqiptare dhe e bëjmë këtë nëpërmjet diskutimeve me zyrtarë të lartë, përfshi Kryeministrin, Presidentin, Ministrat dhe përpiqemi ta bëjmë pozicionin e SHBA sa më të qartë që mundet për popullin shqiptar. Këtë do të vazhdoj të bëj.

Opinion: Edhe tweet juaj, që komentonte deklaratën e Presidentit të Republikës, dy ditë përpara zgjedhjeve, ishte zyrtar?

Yuri Kim: Absolutisht.

Opinion: Le të themi, diskutuar me Uashingtonin?

Yuri Kim: Absolutisht.

Opinion: Jo një deklaratë personale?

Yuri Kim: Sigurisht që jo.

Opinion: Por Presidenti ju ka akuzuar se jeni përfshirë në punët e brendshme të Shqipërisë.

Yuri Kim: Mendoj se ka të drejtën të ketë mendimet e tij, por edhe një herë, unë mund vetëm të bëj punën time, e cila është të shpreh pikëpamjet dhe të sqaroj pozicionin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Opinion: Ka gjithmonë probleme midis Metës dhe ambasadorëve amerikanë. A ka diçka konkrete midis Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit apo janë vetëm probleme të ditës?

Yuri Kim: Nuk do të komentoj për çështje të brendshme.

Eunews.al




Comments are closed.