×
Monday, November 29, 2021

Varhelyi & Osmani: Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur

November 16, 2021

Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet e mira fqinjësore, nismat rajonale dhe pritshmëritë për periudhën në vijim si mundësi për hapa pozitivë në fazën e ardhshme në procesin e integrimit ishin në fokus të takimit të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani me komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Dy bashkëbiseduesit iu referuan përfundimeve të raportit të këtij viti të Komisionit Evropian, përmes së cilit u përçua sinjal i fuqishëm dhe i qartë se besueshmëria e politikës së zgjerimit vazhdon të mbetet investim kyç gjeostrategjik për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në mbarë Evropën.

Në takim u kërkua mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur.

Gjatë takimit u bisedua edhe për zhvillimet e fundit të brendshme politike në vend, por edhe për përpjekjet për tejkalimin e dallimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si prioritet për ta zhbllokuar rrugën drejt BE-së.

Varhelyi foli për përpjekjet e Komisionit Evropian për ta ripërtërirë momentumin evropian në rajon, por edhe për zbatimin e Planit të Investimeve Ekonomike, i cili paraqet mbështetje të fortë të BE-së për forcimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Eunews.al

Comments are closed.