Vance përfshihet në garën për Senatin në Michigan, sulmon kandidatin demokrat El-Sayed: Kërkon të përçajë Amerikën

02 Sep 2026 09:10
Shpërndaje:

Gara për një vend në Senatin amerikan nga shteti i Michiganit është ashpërsuar pas përfshirjes së zëvendëspresidentit JD Vance, i cili doli në mbështetje të kandidatit republikan Mike Rogers dhe lëshoi një seri sulmesh ndaj rivalit demokrat Abdul El-Sayed.

Gjatë një aktiviteti elektoral në Michigan, Vance e cilësoi El-Sayed si një figurë “të ligë” dhe përçarëse, duke e akuzuar se nuk synon bashkimin e amerikanëve, por thellimin e ndarjeve mes tyre.

Zëvendëspresidenti pretendoi se kandidati demokrat dëshiron të “shkatërrojë” vendin dhe e paraqiti garën mes Rogers dhe El-Sayed si një përballje mes dy vizioneve të kundërta për të ardhmen e shtetit dhe të SHBA-së.

Reklamë Ola

Përplasja mori tone personale pasi Vance reagoi ndaj disa komenteve të El-Sayed që lidhnin pikëpamjet politike të zëvendëspresidentit me familjen e tij. Vance i kërkoi demokratit që të “mbante larg gojës emrin e gruas sime”, duke iu referuar Zonjës së Dytë, Usha Vance, e cila është hindu.

El-Sayed sqaroi më pas se komentet e tij nuk synonin të sulmonin Usha Vance, por të kritikonin një filozofi politike që, sipas tij, krijon idenë se disa qytetarë janë “më amerikanë se të tjerët”.

Reklamë InterMedika

Një tjetër pikë e sulmit të Vance ishte lidhja e kandidatit demokrat me influencuesin e majtë Hasan Piker. Zëvendëspresidenti solli në vëmendje deklarata të mëparshme të Pikerit lidhur me sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe akuzoi El-Sayed se kishte zhvilluar fushatë së bashku me të.

Megjithatë, deklaratat e përmendura nga Vance nuk janë bërë nga vetë El-Sayed, ndërsa kandidati demokrat është distancuar më herët nga Piker. Pavarësisht kësaj, Vance e përdori këtë lidhje si një prej argumenteve kryesore të kritikave të tij ndaj rivalit të Rogers.

El-Sayed iu kundërpërgjigj zëvendëspresidentit gjatë një interviste për CNN, duke e kthyer akuzën për “të keqen” drejt politikave të administratës Trump.

Ai kritikoi politikat ekonomike dhe sociale të administratës, duke pretenduar se ato kanë dëmtuar familjet amerikane dhe kanë favorizuar qytetarët më të pasur.

“E keqja është heqja e kujdesit shëndetësor nga njerëzit që punojnë në këmbim të lehtësirave tatimore për miliarderët”, deklaroi El-Sayed.

Kandidati demokrat kritikoi gjithashtu tarifat dhe politikën tregtare të administratës, rritjen e kostove të ushqimeve dhe karburanteve, si dhe përfshirjen e SHBA-së në konfliktet jashtë vendit.

Sipas El-Sayed, “e keqja është përçarja e njerëzve për përfitimin tënd” dhe “shitja e moralit për pak pushtet”.

Përplasja mes Vance dhe El-Sayed e ka vendosur edhe më shumë në qendër të vëmendjes garën për Senatin në Michigan, ndërsa republikanët mbështesin Mike Rogers dhe demokratët synojnë të ruajnë përfaqësimin e tyre në një prej shteteve më të rëndësishme elektorale të SHBA-së.