×
Monday, December 6, 2021

Vaksinat kineze “pushtojnë” botën

March 5, 2021

Pronari i një klubi nate në Beograd, Dusko Milojeviç ka humbur dy miq të ngushtë nga koronavirusi. Prandaj, kur qeveria serbe i ofroi një vaksinë, atij nuk i interesonte se nga vinte.

“U kujdesa vetëm që ajo të ishte aprovuar diku,” tha Milojeviç, i cili mori dozën e dytë të vaksinës Sinopharm të Kinës, në 10 shkurt.

“Unë jam i sigurt që Kina nuk do të vriste kinezët.”

Ndërsa SHBA dhe kombet e tjera perëndimore janë përqendruar në vaksinimin e qytetarëve të tyre, Kina ka premtuar afërsisht gjysmë miliardë doza të vaksinave të saj, për vendet rreth globit.

Pavarësisht pyetjeve në lidhje me efektivitetin dhe sigurinë e tyre, njerëzit nga Kili në Zimbabve dhe Indonezi, janë vënë në radhë për të marrë vaksinat.

“Ne jemi duke parë që diplomacia e vaksinave në kohë reale fillon të vihet në lëvizje, me Kinën në krye, në kuptimin e të qenit në gjendje të prodhojë vaksina brenda Kinës dhe t’i vërë ato në dispozicion të të tjerëve, kryesisht vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme në të gjithë botën”, thotë Dr. Krishna Udayakumar, drejtor themelues i Qendrës Globale të Inovacionit në Shëndetësi në Universitetin Duke në SHBA.

Associated Press ka identifikuar mbi 40 vende që ose kanë marrë, ose porositur të paktën një nga tre vaksinat kineze ndaj COVID-19.

Kina ka dërguar rreth 10 herë më shumë doza vaksine sesa ka administruar në vend.

Partia Komuniste në pushtet thotë se ky është bashkëpunim vaksinash, jo diplomaci vaksinash dhe mohon çdo motiv të fshehtë.

“Ne besojmë se të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku për t’i rezistuar nacionalizmit të vaksinave dhe për të promovuar shpërndarjen e paanshme dhe të arsyeshme të vaksinave, veçanërisht shpërndarjen midis vendeve në zhvillim”, thotë Hua Chunying, një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Por Udayakumar thotë se Pekini po ushtron qartësisht “fuqinë e butë”, duke shitur apo edhe dhuruar vaksinat e veta kombeve më të varfra.

“Kur të jeni duke marrë vendime diplomatike pas dy ose tre vjetësh, ju mund të keni kujtime të këndshme se kush ishte aty, për t’ju ndihmuar në mes të një krize,” thotë ai.

Shkalla e efikasitetit për vaksinat kineze mbetet prapa atyre perëndimore si ato nga Pfizer dhe Moderna. Por deri më tani, nuk ka pasur raportime për efekte anësore serioze, dhe kjo është e mjaftueshme për disa udhëheqës.

“Ne do të jemi në gjendje të shpëtojmë mijëra e mijëra jetë”, tha Kryeministrja Serbe Ana Brnabic kohët e fundit, ndërsa përshëndeti një dërgesë vaksine në aeroport.

“Unë nuk gjej fjalë për t’i shprehur të gjithë mirënjohjen time Kinës.”

Serbia ishte vendi i parë në Evropë që filloi të vaksinonte popullsinë e saj me vaksinat e Kinës. Qeveria thotë se bleu pak më shumë se 2.6 milion doza në total nga burime të ndryshme, shumica nga Kina.

Bashkimi Evropian ka rregulla të rrepta në lidhje me vaksinat dhe nuk ka miratuar vaksinat kineze.

Milojeviç shpreson se biznesi do të përmirësohet deri në verë. Por ai e di se ka disa gjëra që asnjë vaksinë nuk mund të rregullojë.

“Ka gjithnjë e më shumë prej nesh që kemi dikë shumë të afërt dhe të dashur që kanë vdekur nga koronavirusi”, thotë ai. “Dhe ai person nuk ishte dikush që nuk u përmbahej masave, duke pretenduar se sëmundja nuk ekziston.  Ata thjesht ikën”. / Al Jazeera 

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për