×
Sunday, September 8, 2024

Vaksinat anti COVID-19/ Rama: Kontrata me Pfizer e mbrojtur nga sekreti tregtar

January 19, 2021


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, kontrata me “Pfizer”-in është e mbrojtur në të gjithë botën nga sekreti tregtar.

I pyetur në një konferencë me gazetarët nëse mund të bëhet publike marrëveshja me “Pfizer”, Rama u shpreh, “kontrata me ‘Pfizer’-in është e mbrojtur në të gjithë botën nga sekreti tregtar, nuk bëhet publike. Përtej dëshirës time”.

I pyetur se pse ka deklaruar se do ta bënte publike, Rama tha se, “sepse kjo ishte dëshira ime që ta bëjë publike. S’ka asgjë për sa më takon për të fshehur, por kontratat janë kontrata dhe klauzola e sekretit tregtar është aty për të gjitha vendet që kanë marrëdhënie me “Pfizer””.

Rama tha se, “nëse ju do të gjeni një vend të BE, apo cilido tjetër që e ka bërë publike, atëherë ne do të jemi menjëherë vendi i dytë”.

I pyetur se pse çmimi i vaksinës nuk duhet të jetë publik dhe nëse kjo gjë ngre dyshime, Rama tha se, “ju mund të dyshoni për çfarë të keni dëshirë. Është e drejta juaj të dyshoni, por dyshimet mund t’i lehtësoni duke parë praktikat e të gjithëve dhe sekreti që mbulon kontrata me ‘Pfizer’ në Shqipëri dhe kudo në të gjitha vendet me cilit ‘Pfizer’-i ka marrëdhënie nuk lidhet me çmimin. Çmimi është fiks. Por lidhet me modalitetet e çdo kontrate. Dhe sipas negociatave ka modalitete të ndryshme, jo për çmimin, por për sasitë, për kohën e me radhë”.

“Ju mund të dyshoni çfarë të keni dëshirë, por është lehtësisht e verifikueshme sepse paratë nuk mbulohen nga sekreti. Pra paratë që paguhen për ‘Pfizer’-in nuk mbulohen nga sekreti, kështu që mund t’i shikoni dhe do kuptoni që është shumë e thjeshtë dhe nuk duhet ta ushqeni popullin me këto konspiracioni idioteske, sepse realisht u mbush me konspiracione ky vend dhe kjo botë”, tha Rama.

“’Pfizer’ ka një kontratë me të gjithë vendet dhe asnjë kontratë e ‘Pfizer’ në asnjë vend, as në Gjermani, as në Francë, as në Itali, as në Angli as kudo qoftë nuk është publike. Unë këtë gjë nuk e dija. Thashë që do shkojë në parlament dhe do ta bëjmë publike dhe më thanë këtë nuk e bën dot publike, sepse mbulohet nga sekreti tregtar. Kaq e thjeshtë është kjo. Çfarë ka këtu tani që dyshoni ju? Pse merreni me këto çudira, se nuk e kuptoj? Çfarë do dyshoni? Kjo është si në gjithë botën. Nëse ju gjeni një vend që e ka bërë publike kontratën, ne do jemi vendi i dytë dhe do e bëjmë menjëherë dhe ‘Pfizer’-it do t’i themi na fal, po siç e ka bërë filan vend do e bëjmë edhe ne. Kur nuk e bëjnë të tjerët si mund ta bëjmë ne publike?”, theksoi Rama.

Sa i përket shumës, Rama tha se, “ne kemi kapacitetin të paguajmë të gjitha vaksinat që janë të nevojshme për popullin shqiptar. Kush vë shumë paraprake nuk kupton se për çfarë flet, sepse kjo është një situatë dinamike, vaksinat kanë çmime të ndryshme dhe me llogarinë që ne do të na duhej vaksina më e shtrenjtë që sot për sot është ‘Pfizer’-i për të gjithë, ne sot i kemi paratë për ta paguar vaksinën kur dozat të jenë gati nga ‘Pfizer’-i. Është shumë e thjeshtë nuk ka nevojë për të filozofuar”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments