×
Friday, May 7, 2021

“Vaksina AstraZeneca është efektive dhe e sigurt”

March 18, 2021

Agjencia Evropiane e Medikamenteve rekomandon vazhdimin e përdorimit të vaksinës së prodhuesit AstraZeneca. Drejtoresha e EMA-s, Emer Cooke tha pas një takimi të veçantë në Amsterdam se vaksina është “efektive dhe e sigurtë”. Mbrojtja ndaj një rrjedhe të rëndë të infektimit është “më e madhe se rreziqet” nga efektet anësore.

Cooke theksoi se nuk konstatojnë rritje të mpiksjes së gjakut pas vaksinimit me këtë vaksinë. Deri tani, ka pasur raste të izoluara. Ajo vuri në dukje se deri tani në të gjithë BE ishin vaksinuar me vaksinën AstraZeneca shtatë milionë vetë. Meqenëse një lidhje me raste të caktuara nuk mund të përjashtohej përfundimisht, studimet do të vazhdojnë.

Në ditët e fundit ka pasur raportime nga disa vende që disa vetë që ishin vaksinuar me AstraZenecan kishin zhvilluar tromboza. Pas kësaj, Gjermania dhe vende të tjera evropiane i ndaluan vaksinimet me vaksinën AstraZeneca.

Një komision i EMA-s kërkon krijimin e një “ndërgjegjësimi më të madh” për rreziqet. Prandaj EMA rekomandon që një përshkrim i këtyre rasteve të përfshihet në letrën që shoqëron vaksinën, në mënyrë që rastet e trombozës të jenë të njohura nga punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pacientët.

Ekspertët e EMA kontrolluan më parë të dhënat e rasteve me tromboza, së bashku me prodhuesin e vaksinave, ekspertët e sëmundjeve të gjakut dhe autoritetet shëndetësore. Cooke theksoi se studimet klinike kanë treguar që vaksina është së paku 60 për qind efektive. Dëshmitë në “botën reale” sugjerojnë që efektiviteti mund të jetë edhe më i lartë.

Vendimi i EMA do të përcaktojë gjithashtu se si do të vazhdojnë vaksinimet masive të Coronas në Gjermani. Sipas deklaratave të saj, qeveria federale e konsideron rekomandimin e ekspertëve të detyrueshëm. Menjëherë pas vendimit të EMA-s, qeveria spanjolle njoftoi gjithashtu se një komision do të mblidhej për të vlerësuar një rifillim të mundshëm të vaksinimeve me AstraZeneca-n./DW

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për