×
Saturday, July 31, 2021

UNUM, festivali i parë në Europë që organizohet pas pandemisë në Shqipëri

June 2, 2021

Në konferencën e përbashkët me organizatorët e festivalit UNUM, e cila u mbajt pak ditë më parë, Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, ka thënë se UNUM jo vetëm që ka ndikuar në turizmin shqiptar por është shndërruar në një vendtakim të shqiptarëve me qytetarë nga çdo vend i botës.

Ai ka falenderuar organizatorët e festivalit për rikthimin me edicionin e dytë në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Klosi përmendi se Qeveria shqiptare do të garantojë siguri, në mënyrë që UNUM-i të mbahet duke respektuar protokollin anti-COVID 19.

“Si një platformë e gëzimit të rinisë shqiptare, në emër të Qeverisë do të doja të garantoja që do të respektohen të gjitha protokollet e sigurisë së këtij festivali. UNUM-i do të shërbejë si një reklamë e mirë për turizmin në Shqipëri. UNUM festival është i përmasave evropiane”, ka thënë Klosi.

Protokolli i veçantë anti-Covid 19 i miratuar nga Ministria e Turizmit dhe ajo e Shëndetësisë obligon të gjithë pjesëmarrësit e festivalit që të respektojnë rregullat shtetërore. Shqipëria nuk ka kufizime për asnjë vend evropian.

Për të gjithë ata qytetarë të cilët duhet të kthehen në vendet ku obligohen të ketë një test PCR, në qytetin e Shëngjinit organizatorët e festivalit ofrojnë pika ku bëhen testet, kurse brenda festivalit UNUM nuk do të kërkohet testi Rapid sepse një formë e tillë e testimit përmes licensimit të një kompanie private nuk është e lejuar në Shqipëri.

Klosi mbylli konferencën duke rikujtuar se festivali UNUM do të mbahet në plazhin “Rana e Hedhun” në Shëngjin nga 3 deri më 7 qershor, plazh ky i cili do të mbledhë disa nga emrat më të mëdhenj të skenës elektronike në botë.

Festivali mbahet falë mbështetjes së vazhdueshme të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, partnerit kryesor ONE Telecommunications dhe partnerëve të tjerë si DigitAlb, Toptani, Pepsi, Bashkia Lezhë, Smirnoff, Mapo cash&carry.

Eunews.al

Comments are closed.