“Tym i zi” nga takimi në Bruksel, nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi për targat e automjeteve
Dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic, në Bruksel, ka përfunduar pa marrëveshje për targat.
Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se në takimin e sotëm nuk është arritur marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve.
“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në çështjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak.
Palët nuk kanë arritur pajtueshmëri për një zgjidhje afatgjate për çështjen e targave të automjeteve, edhe pse ka skaduar mandati prej gjashtë muajsh për grupet punuese që të arrijnë një marrëveshje.
Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat, e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar, parashikon mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.
Ndërkohë, pritet që derisa të mos ketë marrëveshje të reja, të vazhdojë të zbatohet regjimi me letra ngjitëse.