×
Friday, October 22, 2021

Trupat amerikane ndihmojnë në evakuimin e civilëve nga Afganistani

August 14, 2021

Në Afganistan janë raportuar luftime në një qytet të madh më 14 gusht, teksa trupat amerikane kanë filluar të arrijnë në kryeqytetin, Kabul për të asistuar në evakuimin e stafit të Ambasadës amerikane dhe për të siguruar aeroportin, pas ofensivës së shpejt të militantëve talibanë.

Talibanët thanë se kanë nisur një sulm në Mazar-e Sharif nga disa drejtime dhe zëdhënësi i guvernatorit provincial në provincën veriore, Balkh konfirmoi për agjencinë AP për këtë sulm.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani kishte qëndruar më 11 gusht në Mazar-e Sharif për të mbledhur mbrojtjen për këtë qytet, ku u takua me dhjetëra komandantë të milicive dhe të forcave qeveritare.

Luftimet e reja vijnë teksa grupi i parë i mijëra forcave amerikane po dërgohen në Afganistan për të ndihmuar në evakuimin e stafit të Ambasadës amerikane.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se shumica e 3.000 trupave shtesë do të arrijnë në Afganistan deri më 15 gusht dhe “do të jenë në gjendje të zhvendosin mijëra persona brenda ditës” nga Afganistani.

Trupat amerikane po arrijnë në Afganistan teksa ofensiva e talibanëve është përshpejtuar ditëve të fundit, ku talibanët kanë arritur të marrin nën kontroll Heratin në veri dhe Kandaharin në jug të Afganistanit.

Më 13 gusht, kryengritësit gjithashtu morën kontrollin e kryeqyteteve të provincave Zabul dhe Uruzgan në jug, ndërkaq edhe kryeqyteti i provincës perëndimore Ghore ka rënë nën kontrollin e talibanëve.

Po ashtu, qyteti Pul-e Alam është nën kontrollin e forcave talibane, vetëm disa ditë pasi militantët morën kontrollin e qytetit të afërm Ghazni. Nëpër të dyja këto qytete kalojnë rrugët që çojnë për në Kabul.

Me rënien e Kandaharit – qytetit të dytë më të madh afgan – dhe Heratit – qytetit të tretë më të madh në Afganistan – është shtuar frika se sulmi ndaj Kabulit do të ndodhë në ditët në vijim.LEXONI EDHE KËTË:Talibanët po i afrohen kryeqytetit afgan

Kirby e ka pranuar se luftëtarët talibanë duket se po tentojnë ta izolojnë qytetin, por ai tha se kryeqyteti talibanë nuk ishte “ambient nën kërcënim të afërt”.

Ofensiva e shpejt e talibanëve erdhi pasi trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga SHBA-ja po tërhiqen nga vendi dhe do ta përfundojnë këtë proces më 31 gusht. Ky afat për tërheqjen e trupave u vendos pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi në prill se ai po i jepte fund përfshirjes së shtetit të tij në luftën pothuajse 20-vjeçare.

Biden, që më 13 gusht bisedoi me ekipin e tij për siguri kombëtare lidhur me situatën në Afganistan, po përballet me kritika, kryesisht nga republikanët në Kongres, të cilët kanë thënë se tërheqja nga Afganistani është gabim dhe një veprim i planifikuar keq.LEXONI EDHE KËTË:Kush janë talibanët dhe si veprojnë ata?

Lideri i opozitës në Senat, republikani Mitch McConnell tha më 13 gusht se Shtetet e Bashkuara duhet të nisin të kryejnë sulme ajrore ndaj talibanëve dhe të ofrojnë mbështetje për forcat afgane.

“Nuk është vonë për të parandaluar që talibanët ta marrin Kabulin”, tha McConnell në një deklaratë.

“Administrata duhet të lëvizë shpejt dhe të ndalojë përparimet e talibanëve përmes sulmeve ajrore, duke ofruar mbështetje kritike për forcat afgane që po e mbrojnë kryeqytetin dhe duke parandaluar rënien e qytetit”, shtoi ai.

Nëse administrata e Bidenit nuk bën një gjë të tillë, sipas McConnell, do të rritet kërcënimi i sigurisë së SHBA-së dhe “kostoja humanitare ndaj afganëve të pafajshëm do të jetë katastrofike”.

Biden ka qëndruar pas vendimit të tij për të tërhequr trupat, duke thënë se Shtetet e Bashkuara që një kohë të gjatë e kanë arritur qëllimin, që ka qenë mposhtja e Al-Kaidës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001 dhe ka hedhur poshtë qëndrimin se marrja nën kontroll e Afganistanit nga talibanët është “e pashmangshme”.LEXONI EDHE KËTË:SHBA: U takon afganëve ta mbrojnë shtetin e tyre

Më shumë se 300.000 trupa afgane, të trajnuara nga amerikanët “duhet të luftojnë për veten e tyre, të luftojnë për shtetin e tyre”, ka thënë Biden më herët gjatë javës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres më 13 gusht ka shprehur shqetësimin për situatën dhe u ka bërë thirrje talibanëve që të ndalojnë ofensivën dhe “të negociojnë”.

“Mesazhi nga komuniteti ndërkombëtar për ata që janë në luftë duhet të jetë i qartë: marrja e pushtetit përmes forcës ushtarake është një pozicion humbës. Një gjë e tillë vetëm do ta prolongojë luftën civile ose do ta izolojë komplet Afganistanin”, tha Guterres.

Guterres po ashtu tha se ishte i shqetësuar nga raportimet për trajtimin e keq të grave në zonat e kontrolluara nga talibanët.

“Është veçanërisht tmerruese të shohësh raporte që të drejtat e grave dhe vajzave afgane, të fituara me mund, po iu merren”, tha Guterres.

Eunews.al

Comments are closed.