×
Sunday, May 24, 2026

Trump: Negociatat me Iranin po ecin “në mënyrë konstruktive”, por nuk ka nxitim për marrëveshje

May 24, 2026


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet me Iranin po zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe konstruktive, duke theksuar se administrata amerikane nuk po nxiton drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se ka udhëzuar ekipin negociator amerikan që të tregojë kujdes gjatë procesit dhe të mos përshpejtojë arritjen e një kompromisi.

“Negociatat po përparojnë në një mënyrë të rregullt dhe konstruktive, dhe unë i kam informuar përfaqësuesit e mi që të mos nxitohen për një marrëveshje, pasi koha është në anën tonë”, u shpreh ai.

Sipas presidentit amerikan, të dyja palët duhet të marrin kohën e nevojshme për të shmangur gabime të mundshme në një proces që ai e cilësoi të ndjeshëm dhe strategjik.

“Të dyja palët duhet të marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet. Nuk mund të ketë gabime!”, shtoi Trump, duke theksuar se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit po marrin një formë më profesionale dhe më produktive.

Në një tjetër deklaratë, Trump paralajmëroi se masat kufizuese dhe bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit do të vazhdojnë të jenë në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë dhe të verifikueshme.

“Bllokada detare amerikane do të mbetet në fuqi të plotë derisa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje me Iranin”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan ritheksoi gjithashtu qëndrimin e Uashingtonit se Irani nuk duhet të zhvillojë apo të sigurojë armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një vijë të kuqe të administratës së tij.




Comments are closed.