×
Wednesday, December 11, 2024

Trump në përballje me gazetarët

April 26, 2020


Për herë të parë të premten pasdite, Presidenti Donald Trump ndërpreu informimin e tij të përditshëm për koronavirusin, duke mos pranuar pyetje nga reporterët. Por kjo mund të mos jetë hera e fundit.

Brenda Shtëpisë së Bardhë ka pasur debate për ndryshimin e formatit të konferencave për të zvogëluar rolin e presidentit, sipas katër zyrtarëve dhe disa republikanëve të afërt me Shtëpinë e Bardhë që folën në kushte anonimiteti. Konferencat e informimit shpesh shtrihen përtej një ore dhe në to ka patur shkëmbime të ashpra midis presidentit Trump dhe gazetarëve.

Presidenti u zemërua pas një dite gjatë së cilës në media pati shumë kritika ndaj tij, kryesisht për një koment që ai bëri të enjten, kur pyeti nëse do të ishte e dobishme të injektohen dezinfektantë te njerëzit për të luftuar koronavirusin. Kjo ide u bë shkak paralajmërime të zëshme nga ekspertë të shëndetit, të cilët thanë se ideja ishte e rrezikshme. Edhe demokratët e kritikuan ashpër idenë.

Presidenti Trump tha më pas se sugjerimi i tij për dezinfektantët kishte qenë në formë sarkazme. Por nuk rezulto kështu nëse lexohet transkripti i komenteve të tij.

Prej javësh, këshilltarët po i kërkojnë presidentit që të pakësojë paraqitjet në konferencat e përditshme, duke thënë se ai duhet të dalë para kamerave vetëm kur ka ndonjë lajm me rëndësi ose ndonjë zhvillim pozitiv për të diskutuar, sipas asaj që thanë zyrtarët. Përndryshe, sugjerojnë ata, ai duhet t’ia lërë drejtimin e konferencave Zëvendës Presidentit Mike Pence dhe zyrtarëve të shëndetit.

Presidenti Trump ka hezituar të heqë dorë nga drejtimi i konferencave, të cilat, në mungesë të mitingjeve politike, janë forma më e ngjashme me to. Ai ka folur për shikueshmërinë e lartë televizive që kanë konferencat dhe për aftësinë e tij për të dominuar ciklin e lajmeve si dhe për të eklipsuar tivalin e tij në zgjedhjet presidenciale, demokratin Joe Biden.

Por këshilltarët argumentojnë se ndërsa këto konferenca informimi mund të tërheqin bazën e tij besnike të mbështetësve, ato mund të largojnë shikues të tjerë, duke përfshirë qytetarë të moshuar të shqetësuar për shëndetin e tyre. Zyrtarët e fushatës për rizgjedhjen e presidentit Trump gjithashtu kanë vërejtur një rënie të mbështetjes në disa shtete kryesore dhe kanë shprehur shqetësimin se konferencat, të cilat shpesh përmbajnë informacion të pasaktë, mund të kenë luajtur një rol.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany tha se presidenti kishte marrë “pyetje të panumërta” më herët gjatë ditës nga reporterët në Zyrën Ovale. “Disponimi dhe transparenca e këtij presidenti është e pashembullt,” tha ajo.

Presidenti Trump, i cili njihet si njeri që ndryshon shpesh mendje, nuk ka marrë ndonjë vendim për ndonjë ndryshim të përhershëm në formatin e konferencave, thanë zyrtarët.

Është e paqartë nëse vendimi i Presidentit Trump për të mos pranuar pyetje të premten ka patur lidhje me diçka që ndodhi në sallën e konferencave pak momente përpara se të fillonte informimi nga grupi i punës. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte kërkuar që dy reporterë të ndërronin vendet, në mënyrë që korrespondentja e rrjetit CNN të zhvendosej më larg në sallë. CNN është një objekt i shpeshtë i kritikave të zotit Trump.

Gazetarët nuk pranuan të lëvizin.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments