Trump kërkon ndihmë nga Putini për të luftuar presidentin Biden
Në mes të kritikave për respektin e tij të lartë për presidentin rus ish-presidenti Donald Trump përdori këtë javë një intervistë me “Just the News” për t’i kërkuar Putinit të publikojë çdo informacion kompromentues dhe të dëmshëm që mnd të ketë ai për familjen Biden.
Ish-presidenti Donald Trump pretendon se një oligark rus i ka dhënë dhjetë vjet më parë Hunter Bidenit, djalit të dytë të presidentit Joe Biden, 3.5 milionë dollarë, për bashkëthemelimin e një kompanie.
Shtëpia e Bardhë e kritikoi ashpër Donald Trumpin për intervistën. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield, tha se vetëm një Donald Trumpi mund t’i shkojë në mendje në një situatë të tillë se “tani është koha e duhur për të bërë skema me Vladimir Putinin dhe për t’u mburrur për lidhjet e tij me Vladimir Putinin.”
Taktikë e vjetër e Trumpit
Kjo nuk është hera e parë që Trumpi bën thirrje për ndihmë nga Rusia për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë. Gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016 kundër demokrates Hillary Clinton, republikani u bëri publikisht thirrje hakerëve rusë të ndihmonin në gjetjen e emaileve të Klintonit, duke thënë: “Rusi, nëse po dëgjon, shpresoj të jesh në gjendje të gjesh 30,000 emailet”.
Deri tani nuk ka asnjë provë që Hunter Biden është përfshirë në marrëdhënie të paligjshme me Rusinë. Por ai është nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë për evazion fiskal në lidhje me bizneset e tij në Kinë. Djali i presidentit është kritikuar nga Trump dhe të tjerët edhe për aktivitetet e tij financiare në Ukrainë./DW
Eunews.al