Trudeau: Ukraina mund të fitojë luftën
Kryeministri kanadez Justin Trudeau beson se Ukraina mund ta fitojë luftën kundër Rusisë.
Ai beson se “padiskutim” që është e mundur që pushtimi rus i vendit fqinj mund të ndalet. Rruga drejt fitores është “jashtëzakonisht e paqartë” për Moskën tani, tha Trudeau në Berlin.
“Vladimir Putin ka bëre gabime te renda. Putin nënvlerësoi guximin e jashtëzakonshëm të popullit ukrainas,” tha Trudeau, duke shtuar se kreu i Kremlinit gjithashtu “nënvlerësoi vendosmërinë dhe unitetin e aleatëve dhe partnerëve demokratë përballë autoritarizmit.”
“Putini, megjithatë, do të humbasë edhe nëse ushtarët e tij arrijnë të pushtojnë Ukrainën për shkak të “sanksioneve dëmtuese që bota ka vendosur ndaj liderëve rusë dhe ndaj ekonomisë ruse. (…) Rusët do të vazhdojnë të vuajnë jashtëzakonisht për shkak të Vladimir Putinit”,tha Trudeau.
“Ai nuk e priste që ne të ishim në gjendje të punonim kaq fort së bashku pa mëdyshje. Dhe mendoj se kjo është për shkak se ai e keqkupton krejtësisht forcën e demokracisë”, shtoi politikani kanadez.