×
Tuesday, March 21, 2023

Tregu europian pa gazin nga Rusia

March 1, 2023




Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shkaktoi tronditje serioze në tregun evropian të gazit. Por varësia nga Rusia është zvogëluar ndjeshëm.

Bashkimi Evropian nuk ka vendosur ende asnjë sanksion ndaj gazit rus. Por qëllimi i deklaruar është pavarësimi i plotë nga gazi dhe energjia ruse. Sipas qeverisë në Berlin, të paktën Gjermania e ka arritur tashmë këtë pavarësi. Që nga 1 janari 2023, Gjermania ka ndaluar blerjen e naftës, qymyrit dhe mbi të gjitha gazit nga Rusia. Megjithatë, në vendet e tjera të BE-së, situata aktualisht është më ndryshe.

Importet e gazit rus kanë rënë

Aktualisht, gazi rus ende dërgohet në Evropë përmes dy tubacioneve të gazit, Turk Stream dhe Transgas. “Gazi rrjedh kryesisht përmes Ukrainës dhe Turqisë në Evropën Jugore dhe Lindore,” shpjegon për tagesschau.de  Andreas Schreder, kreu i analizës së energjisë në shërbimin e informacionit të energjisë ICIS.

“Gazi i lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia shkon kryesisht në Spanjë dhe Francë, por edhe në Holandë dhe Belgjikë.” Në Spanjë, Francë dhe Belgjikë, pjesa e gazit të lëngshëm rus u rrit gjatë vitit të kaluar. Ndërsa sipas të dhënave të ICIS ka rënë në Holandë dhe Portugali.

SHBA dyfishon furnizimet me LNG

Megjithatë Rusia ka humbur prej kohësh rolin e saj dominues në furnizimin e evropianëve me gaz. Në vitin 2021, pjesa e saj e furnizimit ishte ende rreth 40 për qind. Sipas të dhënave të Këshillit Evropian, në nëntor të vitit të kaluar ishte vetëm 12.9 për qind. Ndërsa sipas të dhënave të ICIS, që atëherë ajo ka vazhduar të bjerë dhe në janar 2023, pjesa ruse e importeve të gazit në BE arriti në 9.2 për qind.



Comments are closed.