×
Monday, November 29, 2021

Transformohet fusha e mbetjeve në Fier, Balla: “Ne pastrojmë Shqipërinë nga mbetjet, humbësat nuk ndahen dot nga to”

November 18, 2021

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Armando Subashi panë nga afër procesin e mbjelljes së pemëve në ish fushën e mbetjeve në Fier, e cila po shndërrohet në një park me pemë akacie dhe eukalipte.

Në fjalën e tij Balla ka thumbuar dhe opozitën e cila sipas tij i kanë qef mbetjet dhe nuk ndahen dot nga to.

“I kemi ndarë punët, ne duhet ta pastrojmë Shqipërinë nga mbetjet, humbësat i kanë fikësim dhe nuk ndahen dot nga to. Madje edhe kur i pastrojmë, ankohen pse po i heqim, lërini aty thonë”, tha Balla.

Sipas Ballës vetëm pak muaj më parë e gjithë Shqipëria i kishte sytë nga Fieri për shkak të flakëve që përfshinë fushën e mbetjeve.

“Vetëm pak muaj më parë e gjithë Shqipëria i kishte sytë nga Fieri për shkak të flakëve që përfshinë fushën e mbetjeve, ku për shkaqe që nuk unë nuk do ti quaja natyrore, por ndoshta dhe ndonjë dorë kriminale u bë pjesë e një ndezje të qellimshme të plehrave të akumuluara prej 70 vitesh këtu në ish fushën e mbetjeve të Fierit.

Sot jemi në kushtet e një kodrine të vogël, e cila shumë shpejt do të jetë një destinacion për fëmijët dhe moshat e treta, duhet të gjejmë njëmënyrë për të ndërtuar dhe një kënd lojrash në mënyrë që ky pyll që po lind në ish-fushën e mbetjeve të jetë një destinacion, pasi dhe pozicioni që ka është i favorshëm”, deklaroi Balla.

Gjithashtu Balla i bëri dhe një apel bizneseve të Fierit të cilat i ftoi të marin nga një sektor të pyllit që po lind dhe ta mbajnë nën përkujdesje edhe në investimet që duhet të krijojnë aty.

“Çlirimi i qytetit të Fierit nga ndotja që vinte nga tymi dhe ajri i ndotur i fushës së mbetjeve, mund të quhet si një çlirim i dytë i Fierit”, tha Balla.

Eunews.al

Comments are closed.