Transformimi i aeroportit të Kuçovës në bazë të NATO-s, Rama: Infrastrukturë e avancuar për avionët luftarakë dhe të transportit
Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga transformimi rrënjësor i Aeroportit Ushtarak të Kuçovës.
Rama u shpreh se kjo bazë ajrore taktike do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve të NATO-s.
“Baza Ajrore Taktike e NATO-s që hapet së shpejti në Kuçovë do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës” shkroi Rama në rrjetet sociale.
Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Ferdinand Dimo shpjegoi investimin e zhvilluar në aeroportin e Kuçovës.
“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës”, tha ai.
“Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, u shpreh Komandanti i Forcës Ajrore, i cili ndër të tjera ka sqaruar edhe funksionet që do të kryhen nga kjo bazë.
“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”- u shpreh Dino.