Tiranë, organizohet konferenca “Sfidat e Prokurimit Publik dhe Roli i Komisionit të Prokurimit Publik”
Komisioni i Prokurimit Publik, me synim adresimin e problematikave dhe përballjen me sfidat e përbashkëta të së ardhmes ka zhvilluar konferencën e parë me temë “Sfidat e Prokurimit Publik dhe Roli i Komisionit të Prokurimit Publik”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komisionit z. Jonaid Myzyri, nënvizoi reformat e nisura nga institucioni i Komisionit të Prokurimit Publik në drejtim të rritjes së transparencës, publikimit të të dhënave bazuar në parimet e open data si edhe digjitalizimit të shërbimeve, përfshirë atë të dorëzimit të ankesave në formë elektronike përmes portalit unik qeveritar E-Albania. Ky projekt është duke u udhëhequr nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe ato ndërkombëtarë të Open Contracting Partnership.
Në këtë konferencë u diskutuan problematikat e parë në disa drejtime, nga përfaqësues të SIGMA-OECD, Agjencia e Prokurimit Publik, përfaqësues të operatorëve ekonomikë dhe të autoriteteve kontraktore. Nga pjesëmarrësit u ngrit shqetësimi i mungesës së trajnimeve të specializuara në fushën e prokurimeve, ndërkohë që nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik u prezantua edhe projekti i rradhës për krijimin e një sistemi të posacëm trajnimi për zyrtarët e Komisionit në bashkëpunim me Institucionet e Arsimit të Lartë.
Kjo konferencë hap siparin e një sërë konferencash të tjera në fushën e prokurimeve publike. Konferenca u zhvillua online me pjesëmarrjen e mbi 70 përfaqësuesve të bizneseve, autoriteteve kontraktore dhe organizmave ndërkombëtarë.
Eunews.al